E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I kërkuar prej vitesh nga drejtësia, Fadil Tërnova ekstradohet nga Italia
Lajme

I kërkuar prej vitesh nga drejtësia, Fadil Tërnova ekstradohet nga Italia

I cilësuar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, Tërnova është përballur ndër vite me disa procedime penale, nga plagosja te akuzat për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje

38-vjeçari nga Bulqiza, Fadil Tërnova, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim prej disa vitesh nga autoritetet shqiptare.

Tërnova është cilësuar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë dhe njihet si një nga emrat më të përfolur në zonën e Dibrës për shkak të përfshirjes së dyshuar në disa ngjarje kriminale ndër vite.

Ai u arrestua në Itali dhe, pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, është sjellë në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij për disa vepra penale.

Sipas të dhënave zyrtare, ndaj 38-vjeçarit rëndojnë katër akuza të ndryshme, ndërsa emri i tij është lidhur me disa episode të rënda kriminale.

Nga plagosja te përplasjet me armë

Historiku i përballjeve të Fadil Tërnovës me drejtësinë nis në vitin 2009, kur ai u akuzua për plagosjen e një personi.

Në vitin 2012, ai u arrestua pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe municion.

Një vit më vonë, në vitin 2013, emri i tij u përfshi në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Bulqizë, ku gjatë një shkëmbimi zjarri mbeti i vrarë biznesmeni i kromit, Shefqet Shehu, ndërsa u plagos vëllai i tij, Vehab Shehu.

Për këtë ngjarje u arrestuan tre persona, mes tyre edhe Fadil Tërnova. Ai qëndroi për dy vite në paraburgim, periudhë e cila iu llogarit në masën e dënimit, dhe më pas përfundoi masën e vendosur nga gjykata për përfshirjen në këtë çështje.

Procedime të tjera penale

Sipas autoriteteve, Tërnova ka qenë në kërkim edhe për çështje të tjera.

Në vitin 2018, ai është dënuar me dy muaj burg për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Në vitin 2023, Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Kjo çështje lidhet me një episod ku dyshohet se Tërnova ka ushtruar dhunë ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Bulqizës.

Ndërkohë, në vitin 2024, ndaj tij është caktuar sërish masa e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për akuzat “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas hetimeve, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, Tërnova dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip automatik shtetasin Afrim P., pas një konflikti verbal mes tyre.

Policia bëri me dije se ekstradimi u realizua pas arrestimit të tij në Itali, ndërsa ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për disa procedime penale.

Ndër vite, për kapjen e tij janë zhvilluar disa operacione policore në Shqipëri, por pa rezultat deri në arrestimin e tij jashtë vendit.

Pas kthimit në Shqipëri, Fadil Tërnova do të përballet me procedurat ligjore për çështjet penale që rëndojnë ndaj tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.