E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Rama jep 88.5 hektarë për ‘RAMS Albania’ me 1 euro dhe pa konkurrim
Denoncime

Denoncimi: Rama jep 88.5 hektarë për ‘RAMS Albania’ me 1 euro dhe pa konkurrim

Partia Demokratike ka ngritur akuza dhe pikëpyetje mbi mënyrën se si qeveria ka ndjekur procedurat për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, duke vënë në fokus transferimin e rreth 88.5 hektarëve pasuri shtetërore dhe mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë zhvilluese.

Në një deklaratë publike, Sekretarja për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati, pretendoi se një sipërfaqe prej 885,557.6 metrash katrorë tokë shtetërore është kaluar në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike dhe më pas është vënë në dispozicion të një subjekti privat me tarifën 1 euro për kontratën.

Sipas PD-së, shqetësimi lidhet edhe me faktin se “RAMS Albania” sh.p.k. është përcaktuar si zhvillues i projektit përmes një procedure që opozita e konsideron jo konkurruese.

Nga statusi strategjik te transferimi i 88.5 hektarëve

Sipas deklaratës së Endira Bushatit, më 11 shkurt 2026 Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë “RAMS Albania” sh.p.k. statusin “Investim/Investitor Strategjik”.

Projekti, sipas të dhënave të bëra publike nga PD, ka një vlerë të deklaruar prej 100 milionë dollarësh dhe shtrihet në një sipërfaqe totale prej rreth 158.2 hektarësh.

Në vendimin e KIS, sipas PD-së, ishte evidentuar nevoja për përditësimin dhe saktësimin e hartave kadastrale, kufijve dhe statusit juridik të pasurive. Gjithashtu, kërkohej përfundimi i procesit të konsolidimit të tokës përpara kalimit të pronës shtetërore në fondin përkatës.

PD ngre pikëpyetje mbi kohën dhe mënyrën se si janë ndjekur këto procedura.

Sipas deklaratës së Bushatit, më 30 qershor 2026 qeveria transferoi në fond 885,557.6 metra katrorë, ose rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë, me qëllim realizimin e projektit.

Vetëm një muaj më vonë, më 30 korrik, territori u shpall “Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.

Në të njëjtën procedurë, sipas PD-së, u përcaktua që pasuria shtetërore të vihej në dispozicion me tarifën 1 euro për kontratën dhe “RAMS Albania” të caktohej si zhvillues përmes një procedure jo konkurruese.

PD ngre pesë pyetje për qeverinë

Partia Demokratike kërkon sqarime mbi disa elemente të procedurës, duke vënë në pikëpyetje nëse janë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara më herët nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Opozita kërkon të dijë:

  1. Nëse verifikimet dhe procesi i konsolidimit kadastral ishin përfunduar përpara transferimit të pasurisë.
  2. Përse rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore u vunë në dispozicion pa një procedurë konkurruese.
  3. Mbi çfarë vlerësimi ekonomik u përcaktua tarifa prej 1 euro për kontratën.
  4. Cili është përfitimi konkret që i sigurohet shtetit shqiptar nga kjo marrëveshje.
  5. Nëse janë respektuar të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Sipas PD-së, këto pyetje marrin rëndësi edhe për shkak të deklaratave të Kryeministrit Edi Rama më 9 qershor, kur ai u shpreh se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin e tij dhe se qeveria po punonte me Bashkimin Europian për një kuadër të ri ligjor.

PD paralajmëron kallëzim në SPAK

Partia Demokratike ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kërkesë për hetimin e plotë të procedurës.

Sipas opozitës, verifikimi duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes, nga dhënia e statusit të investimit strategjik, te transferimi i pasurisë shtetërore, mënyra e përzgjedhjes së zhvilluesit dhe kushtet me të cilat prona publike është vënë në dispozicion.

“Pasuria publike nuk është pronë e qeverisë për t’u shpërndarë pa konkurrencë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie”, deklaroi Bushati.

PD thotë se çështja duhet të hetohet deri në fund dhe paralajmëron se, në rast se vjen në qeveri, do të rishikojë kontratat që i konsideron të dyshimta apo të dëmshme për interesin publik.

Në deklaratën e saj, opozita e lidh këtë çështje edhe me protestat e zhvilluara kundër qeverisë, duke pretenduar se praktika të tilla janë ndër arsyet që kanë nxitur pakënaqësinë qytetare.

PD e mbylli reagimin me kërkesën politike për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Deklarata e Sekretares për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati:

Partia Demokratike denoncon procedurën e ndjekur nga qeveria për projektin ‘Vlorë TEDA/RAMS Free Zone’, ku rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore janë vënë në dispozicion të një subjekti privat me tarifën 1 euro/kontrata dhe zhvilluesi është përzgjedhur me procedurë jo konkurruese.

Më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha ‘RAMS Albania’ sh.p.k. statusin ‘Investim/Investitor Strategjik’ për një projekt me vlerë të deklaruar 100 milionë dollarë dhe një sipërfaqe totale rreth 158.2 hektarë.

Vetë vendimi i KIS konstatonte nevojën për përditësimin dhe saktësimin e hartave kadastrale, kufijve dhe statusit të pasurive, si dhe kërkonte përfundimin e procesit të konsolidimit të tokës përpara kalimit të pronës shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.

Megjithatë, vetëm katër muaj më vonë, më 30 qershor, qeveria transferoi në këtë fond 885,557.6 m², ose rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë, për realizimin e projektit.

Më 30 korrik, qeveria shkoi më tej: e shpalli territorin ‘Zonë të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Vlorë TEDA/RAMS Free Zone’, vendosi që pasuria shtetërore të vihej në dispozicion me tarifën 1 euro/kontrata dhe caktoi ‘RAMS Albania’ si zhvillues me procedurë jo konkurruese.

Partia Demokratike kërkon përgjigje për disa pyetje themelore:

1-A ishin përfunduar verifikimet dhe konsolidimi kadastral përpara transferimit të pasurisë?

2-Përse 88.5 hektarë pasuri shtetërore u vunë në dispozicion pa një procedurë konkurruese?

3-Mbi çfarë vlerësimi ekonomik u përcaktua tarifa 1 euro/kontrata?

4-Cili është përfitimi konkret i shtetit shqiptar?

5-A janë respektuar të gjitha kushtet e vendosura nga vetë Komiteti i Investimeve Strategjike?

Kjo procedurë bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vetë Kryeministri Edi Rama deklaroi më 9 qershor se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin e tij dhe se qeveria po punonte me Bashkimin Europian për një kuadër të ri ligjor.

Partia Demokratike do t’i drejtohet SPAK-ut, duke kërkuar hetimin e plotë të procedurës: nga dhënia e statusit strategjik, te transferimi i pasurisë shtetërore, përzgjedhja jo konkurruese e zhvilluesit dhe kushtet e vënies së pronës publike në dispozicion.

Pasuria publike nuk është pronë e qeverisë për t’u shpërndarë pa konkurrencë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

Kjo çështje duhet të hetohet deri në fund dhe me ardhjen në qeveri Partia Demokratike do të skanojë të gjitha kontratat e dyshimta dhe të dëmshme për interesin publik. Filozofia jonë do të jetë transparenca, zbatimi i ligjit dhe interesi publik i komuniteteve.

Janë këto shkelje, këto paligjshmëri të qeverisë Rama që mbajnë në shesh prej më shumë se 2 muajsh mijëra shqiptarë, në një protestë të sakrificës dhe përgjegjshmërisë qytetare.

Ata kanë të drejtë në kërkesën e tyre kryesore: Rama jepe dorëheqjen!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.