E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plagosja në qelinë e burgut në Fier, pezullohen nga detyra 8 efektivët e Policisë
Lajme

Plagosja në qelinë e burgut në Fier, pezullohen nga detyra 8 efektivët e Policisë

Hetohen për shpërdorim detyre

Tetë efektivë të Policisë së Burgut të Fierit janë pezulluar nga detyra pas konfliktit të ndodhur të shtunën mes dy të dënuarve, Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri, dhe Jurgen Zoto.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës dhe rishqyrtimit të dytë të situatës. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të përgjegjësive të mundshme të punonjësve.

Sipas të dhënave të raportuara, tetë efektivët ishin të planifikuar për shërbim në dy sektorët e burgut në momentin kur ndodhi konflikti.

Në përplasjen mes dy të dënuarve, të dy mbetën të plagosur. Sipas informacioneve paraprake, Jurgen Zoto dyshohet se ka qenë personi që ka nisur konfliktin, duke goditur Denis Brajovic.

Të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Kush janë dy të dënuarit e përfshirë në konflikt?

Denis Brajovic, i njohur edhe me mbiemrin Bajri, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe është i akuzuar nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndoj.

Ndërkohë, Jurgen Zoto ndodhet në burg për veprat penale të vjedhjes me dhunë dhe mbajtjes pa leje të armës së zjarrit.

Pas incidentit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të marrë masa disiplinore edhe ndaj dy të dënuarve të përfshirë në konflikt, ndërsa autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar për rrethanat e ngjarjes.

Këta janë 8 efektivët e pezulluar

Sipas informacionit të bërë publik, efektivët e pezulluar nga detyra janë:

  • K/Inspektor G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
  • Inspektor Sh.H., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
  • Inspektor A.A., punonjës i rolit bazë;
  • Inspektor D.GJ., punonjës i rolit bazë;
  • Inspektor A.H., punonjës i rolit bazë;
  • Inspektor P.K., punonjës i rolit bazë;
  • Inspektor S.Ç., punonjës i rolit bazë;
  • Inspektor A.S., punonjës i rolit bazë.

Pezullimi i efektivëve synon të shmangë ndikimin e mundshëm mbi procesin hetimor, ndërsa autoritetet do të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje të detyrës apo mangësi në garantimin e sigurisë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Verifikohen edhe makinat e blinduara pranë burgut dhe spitalit

Paralelisht me hetimin për konfliktin, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po verifikon edhe një informacion tjetër të referuar pas ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake, disa automjete të blinduara janë konstatuar jashtë perimetrit të burgut dhe më pas edhe pranë spitalit ku u transportuan të plagosurit.

Autoritetet po verifikojnë nëse në këto automjete ndodheshin persona që lidhen me dy të dënuarit e përfshirë në konflikt.

Prokuroria vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa në fokus janë edhe dyshimet për shpërdorim detyre dhe plagosje.

Hetimi pritet të përcaktojë jo vetëm përgjegjësinë e personave të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, por edhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të procedurave të sigurisë nga punonjësit e burgut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.