E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Drejtori i “Alsat” gjendet pa shenja jete në Shkup
Bota

Drejtori i “Alsat” gjendet pa shenja jete në Shkup

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mediat në Maqedoninë e Veriut, pasi Lirim Hajredini, drejtori i televizionit “Alsat”, është gjetur pa shenja jete pranë një ndërtese në Shkup.

Hajredini, 38 vjeç, është gjetur me lëndime, ndërsa deri në këto momente rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes mbeten të paqarta.

Autoritetet nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, ndërsa ndër mundësitë që po hetohen është edhe ajo e vetëvrasjes. Megjithatë, deri në përfundimin e veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore, nuk ka një konfirmim zyrtar për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.

Trupi i 38-vjeçarit është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar ngjarjen. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:25 të datës 13 gusht 2026, në Stacionin Policor Bit Pazar është raportuar se para një ndërtese në bulevardin “Krste Misirkov” në Shkup ndodhej një person me lëndime.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët kanë konstatuar se bëhej fjalë për L.H., 38 vjeç, nga Shkupi. Sipas Ministrisë së Brendshme, ai ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.

“Sot (13.08.2026), rreth orës 09:25, në SPB Shkup është raportuar se para një ndërtese në bulevardin „Krste Misirkov“ në Shkup ndodhet një person me lëndime. Në vendngjarje kanë dalë zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Bit Pazar, të cilët kanë konstatuar se bëhet fjalë për L.H. (38) nga Shkupi. Personi ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, njoftoi Ministria e Brendshme.

Vdekja e Hajredinit ka shkaktuar tronditje te kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, veçanërisht te personat me të cilët ai kishte punuar për më shumë se 16 vite në televizionin “Alsat”.

Deri në momentin e raportimit, televizioni “Alsat” nuk ka reaguar publikisht për ndarjen nga jeta të drejtorit të tij.

Lirim Hajredini ishte një menaxher me përvojë në sektorin e medias, me ekspertizë në marketing, strategji biznesi dhe produksion televiziv. Krahas angazhimit në drejtimin dhe menaxhimin mediatik, ai kishte punuar edhe si përkthyes i literaturës profesionale.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa ekzaminimi mjeko-ligjor pritet të ndihmojë në përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.