E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si po i shtrin ‘tentakulat’ në Shqipëri biznesmeni izraelito-shqiptar
Bota

Si po i shtrin ‘tentakulat’ në Shqipëri biznesmeni izraelito-shqiptar

Nga ndërtimi dhe resortet te shëndetësia, banka dixhitale dhe datacenter-at, Saniel Sanilevich po zgjeron aktivitetin në Shqipëri, ndërsa lidhjet e tij politike dhe diplomatike i japin profilit një peshë të veçantë.

Një nga emrat që po shfaqet gjithnjë e më shumë në botën e biznesit shqiptar është Saniel Sanilevich, sipërmarrësi izraelito-shqiptar dhe Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Izrael. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, aktiviteti i tij në Shqipëri është shtrirë në disa sektorë, ndërsa emri i tij është përmendur në lidhje me projekte në ndërtim, turizëm, shëndetësi, teknologji dhe siguri.

Të dhëna nga dokumente publike, burime të hapura dhe raportime të mediave izraelite hedhin dritë mbi planet e Sanilevich në Shqipëri. Përveç regjistrimit të një kompanie në vend, në raportime janë përmendur edhe projekte për ndërtimin e resorteve, një spital privat, një datacenter dhe iniciativa në sektorin financiar e teknologjik.

Profili i tij tërheq vëmendje edhe për shkak të rolit që mban si Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, si dhe kontakteve të tij me zyrtarë të lartë shqiptarë dhe izraelitë.

SeaSun Albania Capital, kompania që hapi aktivitetin në Shqipëri

Në vitin 2025 është themeluar në Shqipëri kompania “SeaSun Albania Capital”, me seli në zonën e Kasharit në Tiranë. Nga objekti i veprimtarisë së regjistruar, shoqëria mund të operojë në ndërtimin e objekteve civile, ekonomike, industriale dhe turistike.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Akti i themelimit të koampanisë SeaSun Albania Capital në Shqipëri, në vitin 2025

Kompania ka në objektin e saj edhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, rërës, inerteve, mermerit dhe produkteve të tjera të kësaj fushe, si dhe import-eksportin e materialeve të ndryshme.

Në aktivitetin e deklaruar përfshihen gjithashtu ndërtimi dhe menaxhimi i objekteve turistike, ndërtimi i rrugëve dhe veprave hidroteknike, rikonstruksioni i godinave civile dhe ndërtimi i rrjeteve inxhinierike.

Një objekt kaq i gjerë veprimtarie e vendos kompaninë në një pozicion për të marrë pjesë në projekte të ndryshme në tregun shqiptar, nga ndërtimi dhe infrastruktura deri te zhvillimi i objekteve turistike.

Sipas informacioneve të bëra publike, një nga fushat ku pritet të fokusohet aktiviteti është edhe zhvillimi i projekteve turistike, veçanërisht në zonat bregdetare.

Kapitali fillestar, vetëm 100 lekë

Në dokumentet e regjistrimit të kompanisë, kapitali themeltar rezulton në shumën prej vetëm 100 lekësh.

Në të njëjtat dokumente, Saniel Sanilevich figuron si ortaku kryesor dhe përshkruhet si shtetas shqiptar, i lindur në Izrael më 15 nëntor 1974 dhe i identifikuar me pasaportë shqiptare.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Kapitali i kompanisë është vetëm 100 lekë, ndërkohë Saniel Sanilevich shkruan në dokumente se është “qytetar shqiptar”

Regjistrimi i kësaj kompanie përbën një nga gjurmët më konkrete të hyrjes së Sanilevich në tregun shqiptar, ndërsa fusha e gjerë e aktivitetit të deklaruar krijon mundësi për përfshirje në një sërë projektesh private dhe publike.

Prokura që i jep tre personave kompetenca në Shqipëri

Në korrik të vitit 2025, Saniel Sanilevich ka hartuar një prokurë për përfaqësimin e tij në Shqipëri, në cilësinë e administratorit të “SeaSun Albania Capital”.

Në dokument ai autorizon Xhet Hushin, Kristaq Profkolën dhe Dajana Markun që ta përfaqësojnë në procedura të ndryshme në emër të shoqërisë.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Faksimile: Prokura e Saniel Sanilevich për t’u përfaqësuar nga 3 persona në vendin tonë

Sipas përmbajtjes së prokurës, personat e autorizuar mund të veprojnë së bashku ose veçmas pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të regjistrojnë vendime të shoqërisë, pronarin përfitues dhe ndryshime të të dhënave të regjistruara.

Ata kanë gjithashtu kompetenca për të nënshkruar marrëveshje apo kontrata për shitjen dhe transferimin e kuotave të shoqërisë te palë të treta, si dhe dokumente të tjera që lidhen me aktivitetin e kompanisë.

Në këtë mënyrë, tre personat e përcaktuar në prokurë janë autorizuar të kryejnë një gamë të gjerë veprimesh administrative dhe korporative në emër të Sanilevich dhe kompanisë së tij në Shqipëri.

Konsulli i Nderit dhe lidhjet me Shqipërinë

Saniel Sanilevich nuk është një emër i panjohur për institucionet shqiptare. Ai mban detyrën e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe prezantohet në këtë cilësi edhe në materialet publike të përfaqësisë diplomatike shqiptare.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Izrael, Saniel Sanilevich

Në këtë rol, Sanilevich ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve shqiptare në Izrael. Disa prej tyre janë zhvilluar edhe në fermën dhe kantinën e tij në periferi të Tel Avivit.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Saniel Sanilevich gjatë takimeve të zyrtarëve të Ambasadës Shqiptare në Izrael, në fermën e tij

Emri i tij është lidhur gjithashtu me një vizitë të kryeministrit Edi Rama në Izrael. Sipas raportimeve të mediave izraelite, në vitin 2023 Rama udhëtoi me charter drejt Izraelit dhe vizitoi pronën “Sanilevich Winery Estate”, ku ishte i ftuar nga sipërmarrësi.

Shqipëria në shitje - Fijet e konsullit të nderit të

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe Saniel Sanilevich, gjatë një takimi në Izrael

Marrëdhëniet e tij me zyrtarë të lartë shqiptarë dhe izraelitë kanë bërë që aktiviteti i Sanilevich në Shqipëri të shihet me interes të veçantë, sidomos për shkak të projekteve të përmendura në sektorë strategjikë.

Nga pasuritë e paluajtshme te teknologjia dhe vera

Sipas të dhënave publike nga autoritetet izraelite, Sanilevich ka ndërtuar një aktivitet të diversifikuar biznesi.

Ai lidhet me “Sanilevich Real Estate”, kompani që operon në fushën e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit të projekteve. Sipas përshkrimeve publike, aktiviteti i saj përfshin ndërtimin dhe zotërimin e komplekseve teknologjike, qendrave tregtare dhe objekteve të tjera.

Sanilevich është gjithashtu i lidhur me “Yatir Investment Fund”, një strukturë që fokusohet në financimin e startup-eve në fazat e hershme të zhvillimit.

Një tjetër pjesë e aktivitetit të tij është “Sanilevich Winery Estate”, fermë dhe kantinë vere në pronësi të tij. Sipas të dhënave të bëra publike, kantina prodhon rreth 30 mijë shishe verë në vit.

E kaluara pranë Benjamin Netanyahut

Përpara se të konsolidohej si sipërmarrës, Sanilevich ka pasur një eksperiencë të gjatë në sektorin publik dhe politik në Izrael.

Nga viti 2006 deri në vitin 2011, ai ka punuar pranë zyrës së kryeministrit izraelit, ku ka shërbyer si këshilltar dhe menaxher i fushatës së Benjamin Netanyahut.

Më herët, gjatë viteve 2004–2006, ka shërbyer në një njësi speciale të policisë izraelite, ku, sipas të dhënave biografike të publikuara, ka qenë komandant vullnetar i dy njësive speciale.

Sanilevich ka formim si oficer i marinës izraelite, me gradën kapiten, ndërsa ka edhe diplomë në drejtësi.

Shëndetësia, një nga objektivat kryesore

Një nga sektorët ku emri i Sanilevich është përmendur më së shumti në raportimet izraelite është shëndetësia shqiptare.

Sipas këtyre raportimeve, ai është përfshirë në plane për ndërtimin e një spitali privat në Shqipëri, në bashkëpunim me biznesmenen Yordana Ovadia.

Pikërisht ky aktivitet ka ngritur pikëpyetje në mediat izraelite për shkak të një pozicioni tjetër që Sanilevich ka mbajtur në sektorin e shëndetësisë.

Ai ishte emëruar kryetar i bordit të “Hadassah International Israel”, strukturë që merret me mbledhjen e fondeve dhe donacioneve për Hadassah. Në të njëjtën periudhë, raportimet mediatike e lidhnin me projektin për ndërtimin e një spitali privat në Shqipëri.

Kjo situatë solli diskutime mbi mundësinë e një konflikti interesi, duke qenë se bëhej fjalë për një person që kishte një rol në një organizatë të lidhur me mbledhjen e fondeve dhe njëkohësisht interesa private në sektorin spitalor.

Megjithatë, Hadassah reagoi duke sqaruar se aktivitetet private të Sanilevich ishin të ndara nga detyra e tij në organizatë dhe se nuk kishte ndërthurje mes këtyre aktiviteteve.

Pra, bëhet fjalë për pikëpyetje të ngritura në raportime mediatike dhe jo për një konstatim se Sanilevich ka përvetësuar ose abuzuar me fonde.

Banka dixhitale, datacenter dhe sektori i sigurisë

Interesat e Sanilevich në Shqipëri, sipas raportimeve të mediave izraelite, nuk ndalen te ndërtimi dhe shëndetësia.

Emri i tij është përmendur në lidhje me “Jet Bank”, një projekt bankar dixhital, si dhe me plane për ndërtimin e një datacenteri në Shqipëri.

Gjatë dy viteve të fundit, Sanilevich është përmendur gjithashtu në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, në bashkëpunim me ish-gjeneralin izraelit Giora Eiland.

Të dy janë lidhur edhe me proceset që çuan në marrjen e autorizimeve nga autoritetet shqiptare dhe izraelite për nisjen e fluturimeve direkte turistike mes Tel Avivit dhe Tiranës.

Një profil biznesi që po zgjerohet në Shqipëri

Nga regjistrimi i “SeaSun Albania Capital” deri te projektet e përmendura në turizëm, shëndetësi, teknologji dhe siguri, aktiviteti i Saniel Sanilevich në Shqipëri po shtrihet në disa sektorë.

Pozicioni i tij si Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, marrëdhëniet me figura të larta politike dhe prania e tij në projekte të ndryshme e bëjnë profilin e tij një rast me interes për t’u ndjekur në zhvillimet e reja të biznesit shqiptar.

Për momentin, një pjesë e këtyre projekteve mbeten në fazën e planeve, interesimeve ose raportimeve mediatike. Përfshirja konkrete e Sanilevich apo kompanive të lidhura me të në kontrata, tendera apo projekte specifike duhet të vlerësohet mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe procedurave përkatëse.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.