E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e turistit në Ksamil, reagon qeveria portugeze: Po ndjekim ngjarjen
Lajme

Vrasja e turistit në Ksamil, reagon qeveria portugeze: Po ndjekim ngjarjen

“Kemi informacione vetëm nga mediat lokale”

Qeveria e Portugalisë po ndjek nga afër hetimet për vrasjen e një 20-vjeçari portugez në Shqipëri, i cili u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të së martës, me plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë ka bërë të ditur se është në kontakt me autoritetet shqiptare për të mbledhur informacion mbi ngjarjen dhe zhvillimet e hetimit.

Në një deklaratë për mediat portugeze, Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit të Punëve të Jashtme, tha se deri në këtë moment autoritetet portugeze nuk kanë marrë informacion zyrtar të plotë mbi rrethanat e vrasjes apo mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare.

“Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që ka ndërruar jetë në Shqipëri dhe, përmes Ambasadës së saj në Romë, si edhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen së bashku me autoritetet lokale”, deklaroi Trindade për Renascença.

Zyrtarja portugeze konfirmoi se, të paktën për momentin, ende nuk ka një pasqyrë të qartë mbi atë që ka ndodhur.

“Për momentin”, tha ajo, nuk dihet me saktësi se cilat kanë qenë rrethanat që çuan në vdekjen e të riut portugez.

Portugalia: Dimë për arrestimet nga mediat lokale

Sipas Trindade, autoritetet portugeze kanë marrë dijeni për arrestimet e kryera në Shqipëri përmes raportimeve të mediave lokale, por ende nuk kanë marrë informacion zyrtar përmes kanaleve të tyre institucionale.

“Dimë nga mediat lokale se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund t’ua përcjellim”, u shpreh ajo.

Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë ka garantuar gjithashtu se do të vijojë të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare, ndërsa do të mbajë kontakte edhe me familjarët e viktimës.

“Do të vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet lokale, ashtu edhe me familjarët”, deklaroi Trindade.

11 të arrestuar për vrasjen e 20-vjeçarit

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, 11 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e turistit portugez.

Në qendër të dyshimeve për goditjen me thikë është 29-vjeçari Sokrat Vata. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë vepra të lidhura me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.