Me pistoletë gati për qitje, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë
Një 40-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës pasi u kap duke qarkulluar me një armë zjarri dhe municion luftarak.
Operacioni u zhvillua në zonën e Liqenit të Thatë, ku shërbimet e Sektorit Operacional, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Nr. 1, kryen kontrolle për persona dhe automjete të dyshuara.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi me inicialet G. K., 40 vjeç, efektivët e Policisë gjetën një armë zjarri, pistoletë, si dhe një krehër me municion luftarak.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa 40-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Sipas Policisë, arrestimi u krye për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e posedimit të armës dhe qëllimin për të cilin 40-vjeçari e mbante atë me vete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



