20-vjeçari u fut në det për t’i shpëtuar vdekjes nga Sokrat Vata
Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë për vrasjen e turistit portugez në Ksamil?
Janë zbardhur detaje të reja nga dosja e Prokurorisë së Sarandës për ngjarjen e rëndë të 18 gushtit në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti.
Në dokumentet hetimore, të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, përshkruhet në mënyrë të detajuar mënyra se si nisi përplasja mes turistëve dhe personave të tjerë, si dhe momentet e fundit para plagosjes fatale të të riut.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15 të mëngjesit, kur një konflikt fizik mes dy grupeve u përshkallëzua me goditje dhe ndjekje në zonën e plazhit.
Në qendër të hetimit është Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, i cili dyshohet se ka përdorur thikën ndaj 20-vjeçarit Mendes. Në përleshje dyshohet se është përfshirë edhe David Heurtevent, i cili, sipas hetuesve, ka goditur me grushte viktimën.
Çfarë tregojnë kamerat e sigurisë
Pamjet e kamerave të sigurisë, të përfshira në dosjen e Prokurorisë, kanë dokumentuar minutë pas minute lëvizjet e personave të përfshirë në konflikt.
Në orën 05:14:24 të 18 gushtit 2026, nga ambientet e lokalit “Principotes” shihen të dalin disa persona, të cilët qëndrojnë në pjesën me rërë pranë ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise”. Mes tyre identifikohen Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes. Ky i fundit, sipas përshkrimit të pamjeve, kishte veshur një bluzë të bardhë me shkrim të zi në pjesën e pasme.
Vetëm pak sekonda më vonë, në orën 05:15:22, nga ana e parkimit jugor të “Principotes” shfaqen dy persona. Bëhet fjalë për Davit Heurtevent dhe Sokrat Lipan, alias Vata, i cili kishte veshur një këmishë të bardhë. Të dy afrohen në drejtim të grupit të turistëve.
Në orën 05:16:39, kamerat tregojnë një përplasje fizike mes Sokrat Lipanit dhe një personi të veshur me të bardha. Pas shtyrjes, Lipani largohet në drejtim të shezlloneve.
Rreth tetë sekonda më vonë, në orën 05:16:47, ai shihet duke ndjekur nga pas një prej personave të veshur me të bardha, në drejtim të zonës së parkimit.
Në orën 05:16:54, Sokrat Lipan kthehet me vrap drejt Ibrahim Lemoies. Ky i fundit përplaset me shezllonet dhe bie në tokë, ndërsa Lipan shihet duke e goditur.
Situata përshkallëzohet më tej në orën 05:17:14. Në këtë moment afrohet Luis Mendes, i cili e shtyn me trup Sokrat Lipanin. Ky i fundit bie në tokë, por pasi ngrihet, afrohet drejt Mendes dhe nis ta godasë.
Përleshja përshkallëzohet
Në orën 05:17:20, sipas pamjeve të administruara në dosje, Davit Heurtevent, i veshur me pantallona të shkurtra dhe një veshje të errët në pjesën e sipërme, bashkohet me Sokrat Lipanin në përplasjen me Luis Mendes.
Në të njëjtën kohë, Sudae Akhmat afrohet për të ndihmuar Mendes dhe godet Sokrat Lipanin.
Pak sekonda më pas, nga ora 05:17:35 deri në 05:17:46, në pamje shfaqet edhe Serxhi Selimi, i cili godet me grushte Ibrahim Lemoien.
Ndërkohë, Luis Mendes tenton të largohet nga përleshja. Për t’u shpëtuar goditjeve që, sipas hetuesve, po merrte nga Sokrat Lipan dhe David Heurtevent, 20-vjeçari futet me nxitim në det.
Por përplasja nuk përfundon aty.
Në orën 05:17:53, Mendes del në pjesën jugore të plazhit dhe shkon drejt zonës ku ndodhen kamarierët. Sipas pamjeve të kamerave, ai goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe shtyhet drejt detit.
Vetëm pak sekonda më vonë, në orën 05:18:04, Luis Mendes del përsëri nga uji dhe ecën drejt shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në këtë moment, në pamje dallohet se bluza e bardhë që kishte veshur është e mbuluar me gjak.
Edhe të dyshuarit shfaqen të gjakosur
Në orën 05:18:24, David Heurtevent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principotes”. Sipas përshkrimit të pamjeve në dosjen hetimore, ai duket i gjakosur në pjesën e përparme të veshjeve dhe tenton të fshihet.
Rreth dy minuta më vonë, në orën 05:20:28, largohet edhe Sokrat Lipan. Edhe bluza e tij e bardhë rezulton e gjakosur në pamjet e kamerave.
Pas tij shfaqet kamarieri Ildi Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të ambienteve të “Principotes”.
Këto pamje janë pjesë e materialeve të administruara nga Prokuroria e Sarandës dhe shërbejnë për rindërtimin e plotë të dinamikës së konfliktit që përfundoi me vdekjen e turistit 20-vjeçar.
Hetimi vijon për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë në përleshje dhe rolin që ka pasur secili në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



