E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u mobilizua stafi i “Principotes” për të shpëtuar Sokrat Vatën
Lajme

Si u mobilizua stafi i “Principotes” për të shpëtuar Sokrat Vatën

Vrasja e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil po nxjerr në pah edhe një tjetër aspekt të rëndë të ngjarjes, atë që lidhet me veprimet e stafit të lokalit “Principotes” në minutat pas plagosjes së të riut.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore dhe dëshmive të administruara nga hetuesit, në momentet kur 20-vjeçari ndodhej i plagosur dhe kishte nevojë për ndihmë urgjente, një pjesë e stafit të lokalit u vu në lëvizje për Sokrat Vatën, personin që dyshohet se e goditi me thikë viktimën.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar se në orën 05:18:04 Luis Mendes del nga deti dhe drejtohet në këmbë drejt shezlongëve të plazhit “Paradise”. Në pamje duket se bluza e tij e bardhë është e mbuluar me gjak, duke treguar se i riu ishte plagosur dhe gjendja e tij ishte e dukshme.

Në këto momente, sipas dëshmive, ndihmën e parë po përpiqeshin t’ia jepnin miqtë e tij dhe turistë të tjerë. Njëri prej shokëve të viktimës ka treguar se ka përdorur bluzën për t’i mbuluar plagën.

Edhe DJ-i i “Principotes”, Armando Zeneli, në dëshminë e tij para hetuesve, ka deklaruar se kur ka dalë jashtë lokalit ka parë një grup turistësh që po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.

Por, në të njëjtën kohë, brenda stafit të “Principotes” kishte nisur një tjetër lëvizje.

Sipas dëshmisë së Zenelit, disa kolegë të tij, të alarmuar nga situata, i janë afruar dhe i kanë kërkuar të përdorte automjetin e tij për të transportuar Sokrat Vatën.

Porosinë, sipas dëshmisë së tij, e kishte marrë në këtë formë: “Merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër.”

Kjo do të thotë se në ato momente kishte një automjet në dispozicion, kishte persona që po organizoheshin për të transportuar një të plagosur dhe kishte dijeni se gjendja e personit kërkonte ndërhyrje mjekësore.

Personi për të cilin u organizua ky transport ishte Sokrat Vata.

DJ-i ka deklaruar gjithashtu se kishte njoftuar menaxherin për situatën dhe më pas ishte drejtuar me nxitim drejt parkimit për të marrë automjetin.

Në rrugën drejt makinës, Zeneli ka kaluar pranë vendit ku ndodhej Luis Mendes. Sipas dëshmisë së tij, ai ka parë një grup turistësh që po i jepte ndihmë personit të shtrirë në tokë.

Megjithatë, ai ka vijuar drejt automjetit. Pasi e ka marrë makinën, është kthyer dhe në pjesën e pasme të saj ka hipur Sokrat Vata. Të dy janë nisur më pas drejt Qendrës Shëndetësore të Ksamilit.

Kontrasti që del nga këto veprime është një prej elementeve që kërkon sqarim të plotë nga hetimi: ndërsa Luis Mendes, i plagosur rëndë, po merrte ndihmën e parë nga turistët, automjeti i një punonjësi të lokalit po përdorej për të transportuar drejt spitalit personin e dyshuar për plagosjen e tij.

Një tjetër pikë e rëndësishme që kërkon sqarim lidhet me njoftimin e policisë. Sipas të dhënave të paraqitura në dosje, policia nuk është njoftuar menjëherë pas ngjarjes, edhe pse në strukturën e sigurisë së lokalit kishte edhe efektivë.

Telefonatën në polici e ka bërë DJ-i Armando Zeneli, por jo në ato momente. Sipas dëshmisë së tij, ai është larguar drejt banesës, është qetësuar dhe më pas ka telefonuar policinë.

Kjo ngre pikëpyetje mbi arsyen e vonesës në njoftimin e autoriteteve, veçanërisht në një situatë ku një person ishte i plagosur rëndë dhe një tjetër dyshohej se kishte përdorur thikë.

Edhe roli i drejtuesve të “Principotes” pritet të jetë pjesë e verifikimeve të mëtejshme. Sipas dëshmisë së Zenelit, përpara se të merrte automjetin, ai kishte njoftuar menaxherin për situatën. Kjo do të thotë se, sipas këtij versioni, ngjarja nuk ishte vetëm në dijeninë e disa punonjësve, por ishte bërë e ditur edhe në nivelet drejtuese të lokalit.

Në këtë kuadër, një nga çështjet që kërkon të sqarohet është edhe roli i pronarit të “Principotes”, Bekim Bulica. Hetimi duhet të përcaktojë se çfarë ka bërë ai në minutat pas përplasjes, nëse ka pasur dijeni për plagosjen e 20-vjeçarit dhe përse nuk është njoftuar menjëherë policia apo shërbimi i urgjencës.

Po ashtu, mbetet për t’u sqaruar nëse drejtuesit apo punonjës të lokalit kanë ndërmarrë veprime të tjera pas ngjarjes dhe nëse këto veprime kanë ndikuar në mënyrën se si u dokumentuan minutat e para të ngjarjes.

Këto janë çështje që tashmë i përkasin hetimit dhe që duhet të marrin përgjigje përmes provave, dëshmive dhe pamjeve të kamerave të sigurisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.