E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pezullimi i vizave, Gjykata amerikane “zbyth” vendimin e Trump-it
Bota

Pezullimi i vizave, Gjykata amerikane “zbyth” vendimin e Trump-it

Preket edhe Shqipëria

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trump që prej janarit kishte pezulluar lëshimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre edhe Shqipëria.

Vendimi u dha të premten, më 21 gusht, nga gjykatësja federale Jeannette Vargas e Gjykatës së Distriktit Jugor të Nju Jorkut. Ajo arriti në përfundimin se politika e miratuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tejkalonte kompetencat e përcaktuara nga ligji federal i emigracionit dhe e cilësoi atë “qartazi të paligjshme”.

Masa e Departamentit amerikan të Shtetit ishte në fuqi që nga 21 janari 2026 dhe prekte shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit. Politika ishte argumentuar nga administrata Trump me shqetësimin se emigrantët nga këto vende mund të kishin një rrezik më të lartë për t’u bërë barrë për sistemin e ndihmës publike në SHBA.

Por gjykatësja Vargas vlerësoi se ligji amerikan nuk i jep Sekretarit të Shtetit kompetencën për të vendosur një ndalim kategorik të vizave bazuar vetëm te shtetësia e aplikantit.

Sipas vendimit, vlerësimi nëse një aplikant mund të konsiderohet “barrë publike” duhet të bëhet në mënyrë individuale nga zyrtarët konsullorë, duke marrë parasysh rrethanat konkrete të çdo aplikimi.

Padia ndaj politikës ishte ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve, mes tyre Catholic Legal Immigration Network dhe African Communities Together, si dhe nga aplikantë për viza dhe shtetas amerikanë që kishin nisur procedurat për të sjellë familjarët e tyre në SHBA.

Çfarë do të thotë vendimi për shqiptarët?

Rrëzimi i politikës heq një pengesë që prej fillimit të vitit kishte prekur procesin e lëshimit të vizave imigruese për shtetasit shqiptarë.

Bëhet fjalë për vizat që u mundësojnë personave të vendosen përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara, ndaj vendimi është veçanërisht i rëndësishëm për procedurat e emigrimit dhe bashkimit familjar.

Megjithatë, vendimi nuk do të thotë se shqiptarët marrin automatikisht vizë për në SHBA. Aplikimet vijojnë t’u nënshtrohen procedurave konsullore dhe vlerësimit individual sipas legjislacionit amerikan.

Politika e rrëzuar nga gjykata është gjithashtu e ndryshme nga kufizimet e tjera të vizave dhe hyrjes në SHBA të vendosura nga administrata Trump për arsye të sigurisë kombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk kishte dhënë ende një reagim publik për vendimin e gjykatës në raportimet e para pas shpalljes së tij.

Vendimi i Vargas përbën një tjetër goditje gjyqësore ndaj politikave të administratës Trump për emigracionin dhe mund të ketë ndikim te mijëra aplikantë nga vendet e përfshira në listën prej 75 shtetesh.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.