E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“NDËRKOMBËTARËT” e Rilindjes  përfunduan në skandal
Uncategorized

“NDËRKOMBËTARËT” e Rilindjes përfunduan në skandal

HETIM, AKUZË APO KONFLIKT INTERESI?

A nuk na është shitur vite me radhë përralla se elita diplomatike ndërkombëtare e mbështeste këtë qeveri për shkak të “reformave”, “demokracisë” dhe “vlerave perëndimore”?

Po sikur t’i marrim këta personazhe njëri pas tjetrit, në mënyrë kronologjike, dhe të shohim se si historia e tyre bëhet shumë më interesante?

KUSH PREJ TYRE DOLI NGA SKENA PA SKANDAL, HETIM, AKUZË, KONFLIKT INTERESI, DORËHEQJE APO RRËZIM POLITIK?

Le t’i marrim me radhë.

1. VITI 2013 | TONY BLAIR

Këshilltari i parë “falas” i Rilindjes dhe njeriu që do t’i hapte qeverisë së re dyert e botës.

Por fjala “falas” bëhet interesante kur shikon pjesën tjetër të historisë.

Ndërkohë që Tony Blair këshillonte pa pagesë qeverinë Rama, OMNIA STRATEGY, studioja ligjore dhe e konsulencës e themeluar dhe drejtuar nga bashkëshortja e tij, CHERIE BLAIR, kishte marrëdhënie profesionale me shtetin shqiptar.

Vetë Ministria shqiptare e Drejtësisë deklaronte se Omnia kishte ndërmarrë “një sërë projektesh” në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Studioja e Cherie Blair u kontraktua edhe për konsulencë lidhur me konfliktin me BANKERS PETROLEUM.

Më vonë, Cherie Blair dhe ekipi i Omnia Strategy përfaqësuan Republikën e Shqipërisë edhe në arbitrazhin ndërkombëtar HYDRO/BECCHETTI.

Vetë Omnia e ka përshkruar Shqipërinë si KLIENT AFATGJATË.

Pra…

TONY BLAIR ISHTE “FALAS”.

STUDIOJA E BASHKËSHORTES SË TIJ KISHTE SHQIPËRINË KLIENT.

Kjo nuk provon se njëra ishte pagesë për tjetrën.

POR E BËN SHUMË MË INTERESANTE PËRRALLËN E “KËSHILLTARIT FALAS”.

Dhe historia nuk mbaron këtu.

Vite më vonë, PANDORA PAPERS zbuluan se Tony dhe Cherie Blair kishin blerë një godinë prej 6.5 milionë paundësh duke blerë kompaninë offshore që e zotëronte.

Transaksioni ishte i ligjshëm, por kjo mënyrë blerjeje bëri që të kursenin rreth 312 mijë paund taksë prone.

NJË NGA NJERËZIT QË NA ERDHI TË NA MËSONTE “QEVERISJEN MODERNE”, REZULTOI VETË PËRFITUES I NJË MEKANIZMI OFFSHORE.

2. VITI 2014 | ROMANA VLAHUTIN

Ambasadorja e BE-së në Tiranë në vitet kur Shqipëria po hynte në epokën e kanabizimit masiv dhe diplomacia europiane vazhdonte të fliste për “progres”.

Pastaj shpërtheu historia e rezidencës së Delegacionit të BE-së në ROLLING HILLS, me vlerë rreth 1.6 milionë euro.

Çështja arriti deri në institucionet europiane dhe ngriti pikëpyetje për çmimin, procedurën e prokurimit dhe mënyrën se si ishte realizuar blerja.

BE-ja mbrojti procedurën dhe nuk pati dënim penal ndaj Vlahutin.

POR NJË NGA FYTYRAT QË NA FLISTE PËR TRANSPARENCËN, U GJEND VETË NË QENDËR TË PYETJEVE PËR TRANSPARENCË.

3. VITI 2015 | DONALD LU & BANKERS PETROLEUM

Ambasadori që u bë fytyra publike e Reformës në Drejtësi dhe që na premtonte kapjen e “peshqve të mëdhenj”.

Ndërkohë, marrëdhënia e tij me Kryeprokurorin Adriatik Llalla shpërtheu në akuza publike për presion dhe përdorimin e vizave si instrument shtrëngimi.

Dhe pastaj ishte BANKERS PETROLEUM.

Në korrespondencën e publikuar, Lu shprehte shqetësim për ndjekjen penale të punonjësve të Bankers dhe efektin që çështja mund të kishte mbi investimet e huaja.

Llalla shkoi më tej dhe e akuzoi publikisht Lu-në për presion mbi Prokurorinë.

Akuza e Llallës nuk është provuar nga një gjykatë.

POR FAKTI QË NJË AMBASADOR NDËRHYRI DIREKT TE ORGANI I AKUZËS PËR MËNYRËN SE SI PO NDIQEJ PENALISHT NJË KORPORATË E HUAJ, MBETET VETË NJË HISTORI.

NJERIU QË NË TIRANË NA FLISTE PËR “PESHQIT E MËDHENJ”, VETË U GJEND NË QENDËR TË AKUZAVE PËR PRESION MBI ORGANIN E AKUZËS.

Sot “te dhitë”.

4. VITI 2016 | FEDERICA MOGHERINI

Shefja e diplomacisë së BE-së që na fliste për reforma, drejtësi, institucione dhe progres europian.

Në dhjetor 2025 erdhi ironia.

PROKURORIA PUBLIKE EUROPIANE, EPPO, e përfshiu Mogherinin në një hetim penal për një tender të financuar nga BE-ja.

Ajo u njoftua formalisht për akuza që përfshijnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Më pas dha dorëheqjen si Rektore e College of Europe.

Natyrisht, prezumohet e pafajshme deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.

POR SIMBOLIKA ËSHTË E PAMUNDUR TË MOS SHIHET.

NJË NGA NJERËZIT QË NA JEPTE LEKSIONE PËR STANDARDET EUROPIANE, PËRFUNDOI VETË NËN HETIMIN E PROKURORISË EUROPIANE.

5. VITI 2017 | CHARLES McGONIGAL

Ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork.

Në kohën që mbante një nga postet më sensitive të sigurisë amerikane, mori 225 mijë dollarë cash nga një shtetas shqiptar me lidhje me qeverinë shqiptare dhe e fshehu këtë marrëdhënie nga FBI-ja.

Ai u përfshi gjithashtu në kontakte dhe çështje që prekën drejtpërdrejt politikën shqiptare.

McGonigal pranoi fajësinë në drejtësinë federale amerikane.

KËTU NUK KEMI MË OPINION POLITIK.

KËTU KEMI NJË ISH-DREJTUES TË FBI-SË TË DËNUAR NGA DREJTËSIA AMERIKANE.

6. VITI 2018 | SEBASTIAN KURZ

Një nga mbështetësit e fortë europianë të Shqipërisë së Ramës.

Austria mbështeste hapur çeljen e negociatave, ndërsa Kurz e priste Ramën në Vjenë me fjalët “i dashur Edi” dhe fliste për bashkëpunim të shkëlqyer politik e ekonomik.

Pastaj erdhi rënia.

Në vitin 2021, Kurz dha dorëheqjen si kancelar mes një hetimi korrupsioni dhe më pas u largua nga politika.

Në vitin 2024 u dënua në shkallë të parë për dëshmi të rreme para Parlamentit, por ky vendim u rrëzua në apel në vitin 2025.

Pra, sot nuk mund të quhet i dënuar për atë çështje.

POR KARRIERA E NJERIUT QË PARAQITEJ SI FENOMENI I RI I EUROPËS, U NDËRPRE MES HETIMEVE DHE SKANDALEVE.

7. VITI 2019 | MIROSLAV LAJČÁK

Kryesuesi i OSBE-së në vitin e krizës së madhe politike shqiptare dhe zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Në qershor 2019, ai deklaronte se mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ishte në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më pas vazhdoi për vite si një nga arbitrat ndërkombëtarë të Ballkanit.

Dhe pastaj dolën EPSTEIN FILES.

Në dokumentet e publikuara në vitin 2026 u shfaqën komunikime mes Lajčák dhe Jeffrey Epstein, përfshirë biseda për gra të reja.

Lajčák mohoi çdo sjellje kriminale, por publikimi i komunikimeve pati një pasojë konkrete politike.

MË 31 JANAR 2026 DHA DORËHEQJEN SI KËSHILLTAR PËR SIGURINË KOMBËTARE TË KRYEMINISTRIT ROBERT FICO.

8. VITI 2020 | KNUT FLECKENSTEIN

Ish-raportuesi dhe eurodeputeti që për vite na fliste nga Brukseli për reformat dhe progresin europian të Shqipërisë.

Pastaj humbi mandatin në Parlamentin Europian.

Dhe në korrik 2020, nga monitorues i Shqipërisë u bë këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

ARBITRI U KTHYE NË KËSHILLTAR TË ATYRE QË DJE I MONITORONTE.

Nuk është vepër penale.

Por “dera rrotulluese” politike vështirë se ilustrohet më bukur.

9. VITI 2021 | ANTONY BLINKEN

Sekretari amerikan i Shtetit që firmosi shpalljen “non grata” të Sali Berishës dhe që në Shqipëri u trajtua pothuajse si autoriteti moral përfundimtar.

Mandati i tij përfundoi mes një përplasjeje të fortë me Kongresin për tërheqjen amerikane nga Afganistani.

Komisioni i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve rekomandoi që Blinken të shpallej në CONTEMPT OF CONGRESS, pasi nuk shkoi të dëshmonte para Kongresit, ndonëse ishte thirrur zyrtarisht dhe me detyrim ligjor.

Çështja ishte politike dhe u kundërshtua ashpër nga demokratët.

POR IRONIA MBETET.

NJERIU QË NA JEPTE LEKSIONE PËR LLOGARIDHËNIEN, PËRFUNDOI VETË NË PËRPLASJE ME KONGRESIN PIKËRISHT PËR LLOGARIDHËNIEN.

10. VITI 2022 | YURI KIM

Ambasadorja që u përfshi si rrallë ndonjë diplomat tjetër në zhvillimet e brendshme politike shqiptare.

Në sektorin e energjisë promovoi hapur marrëveshjen mes Shqipërisë, ExxonMobil dhe Excelerate Energy për projektin LNG në Vlorë.

Dhe pas largimit nga diplomacia?

U bë Senior Director for International Government Relations në EXXONMOBIL.

Pikërisht kompania që kishte promovuar publikisht gjatë mandatit të saj në Shqipëri.

KJO NUK PROVON KORRUPSION.

Por, si shembull i fenomenit që në Perëndim quhet “revolving door”, dera rrotulluese mes pushtetit publik dhe korporatave private, është një histori që flet vetë.

11. VITI 2023 | BILL CLINTON

Ish-Presidenti amerikan erdhi në Tiranë për një vizitë që qeveria Rama e ktheu në spektakël shtetëror.

Por Clinton nuk u shfaq vetëm.

Pranë tij ishte vazhdimisht edhe ALEX SOROS.

Dhe në pamjet e asaj vizite, të paktën për mua, kishte diçka që binte menjëherë në sy.

ALEX SOROS TË JEPTE PËRSHTYPJEN E NJERIUT QË MBANTE QËNDRIMIN E PRESIDENTIT, NDËRSA BILL CLINTON, ISH-PRESIDENTI I SHBA-SË, DUKEJ ÇUDITËRISHT SI NJË NJERI I QETË DHE I BINDUR QË E SHOQËRONTE.

NJË PËRMBYSJE ROLESH.

Rama e dekoroi Clintonin dhe vizita u përdor si një certifikatë e madhe prestigji ndërkombëtar.

Pastaj erdhën përsëri EPSTEIN FILES.

Marrëdhëniet e Clintonit me Jeffrey Epstein u rikthyen fuqishëm në debatin publik amerikan.

Në vitin 2026, Bill Clinton u detyrua të dëshmonte për më shumë se gjashtë orë para Kongresit lidhur me marrëdhënien e tij me Epstein.

FIGURA QË NA U SOLL NË TIRANË SI CERTIFIKATË PRESTIGJI DHE MORALI.

12. VITI 2024 | EMMANUEL MACRON

Ish-bankieri i Rothschild që e ka lidhur fort diplomacinë franceze edhe me interesat ekonomike të kompanive franceze.

Shqipëria është një shembull.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Macron dhe Rama pritën drejtuesit e kompanisë franceze VOLTALIA, e cila kishte ndërtuar parkun fotovoltaik të Karavastasë.

Ndërkohë, mbi Macron rëndonte prej kohësh UBER FILES.

Një komision hetimor parlamentar francez e përshkroi marrëdhënien mes Macronit dhe Uber-it si TË PAQARTË DHE TË PRIVILEGJUAR.

Dhe sot?

SOT ËSHTË NJË NGA LIDERËT MË TË DISKREDITUAR DHE MË TË URRYER POLITIKISHT NË FRANCË, I GJYMTUAR POLITIKISHT DHE PA MAZHORANCËN QË DIKUR E BËNTE TË DUKEJ I PATHYESHËM.

13. VITI 2024 | JOSEP BORRELL

Një nga përfaqësuesit e politikës së “stabilitetit para demokracisë”.

MBAJTI TË FSHEHTË PËR MUAJ TË TËRË ARRESTIMIN NË IRAN TË DIPLOMATIT TË BE-SË, JOHAN FLODERUS, duke u akuzuar se heshtjen e përdori për të mbrojtur interesat dhe kanalet politike të diplomacisë europiane me Iranin.

14. VITI 2025 | URSULA VON DER LEYEN

Ndoshta emri më i rëndësishëm që mungonte në listë.

Presidentja e Komisionit Europian ka qenë një nga mbështetëset më të forta të procesit europian të Shqipërisë dhe reformave të qeverisë Rama.

Por ndërkohë në Bruksel shpërtheu:

PFIZERGATE — SKANDALI PFIZER.

Në qendër ishin mesazhet mes Ursula von der Leyen dhe CEO-s së Pfizer, Albert Bourla, gjatë negociatave për vaksinat kundër COVID-it.

Komisioni refuzoi t’ia jepte këto mesazhe New York Times, duke thënë se nuk i kishte në posedim.

Në maj 2025, Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Europian e rrëzoi vendimin e Komisionit.

Gjykata tha se shpjegimet e Komisionit kishin qenë të paqarta dhe se nuk ishte dhënë një shpjegim bindës se përse mesazhet nuk mund të gjendeshin.

Nuk është dënim penal ndaj von der Leyen.

POR PËR NJË INSTITUCION QË U KËRKON VENDEVE SI SHQIPËRIA TRANSPARENCË, DOKUMENTIM DHE LLOGARIDHËNIE, SIMBOLIKA ËSHTË SPEKTAKOLARE.

SI PËRFUNDIM…

Gabimi është të mendosh se korrupsioni mbaron vetëm te zarfi me para.

UNË NUK PO THEM SE EDI RAMA U KA FUTUR PARA NË XHEP GJITHË KËTYRE NJERËZVE.

Ajo që po them është shumë më serioze.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Rama kuptoi shumë mirë një mekanizëm të politikës ndërkombëtare.

Pas fjalëve të bukura për “demokraci”, “shtet të së drejtës” dhe “vlera perëndimore”, ekziston edhe një botë tjetër.

INTERESA.

Interesa ekonomike.

Interesa energjetike.

Interesa migracioni.

Interesa gjeopolitike.

Korporata.

Kontrata.

Investime strategjike.

Territor.

Asete publike.

Influencë rajonale.

Dhe kur një qeveruc i vogël bëhet i dobishëm për këto interesa, QËNDRIMI I TIJ NË PUSHTET MUND TË VLEJË MË SHUMË SE DEMOKRACIA E VENDIT QË AI QEVERIS.

Njëri fiton kontrata, akses, territor, energji, influencë apo avantazh gjeopolitik.

Tjetri fiton fotografi, deklarata, heshtje, legjitimitet dhe mbështetje ndërkombëtare.

Dhe zogjve të shqipes e gjithë kjo u shitet si:

MBËSHTETJE E PERËNDIMIT.

E ÇFARË TJETËR MUND TË QUHET KJO, PËRVEÇSE

KORRUPSION GJEOPOLITIK?

Jo domosdoshmërisht korrupsion me zarf.

Por një sistem ku INTERESI I PUSHTETIT VENDAS DHE INTERESI I AKTORIT TË HUAJ USHQEJNË NJËRI-TJETRIN.

Prandaj pyetja nuk është:

“SA NDËRKOMBËTARË BLEU RAMA?”

Pyetja është shumë më serioze:

SA INTERESA TË HUAJA E GJETËN TË DOBISHËM RAMËN NË PUSHTET?

Dhe kur sot sheh se njëri përfundoi në PANDORA PAPERS, një tjetër në një skandal që arriti deri në institucionet europiane, një ish-drejtues i FBI-së NË BURG, një ish-shefe e diplomacisë europiane NËN HETIMIN E EPPO-s, një ish-kancelar dha dorëheqjen mes një hetimi korrupsioni, një tjetër dha dorëheqjen pas EPSTEIN FILES, ndërsa të tjerë përfunduan në përplasje me Kongresin, konflikte interesi, skandale transparence apo rrëzim politik…

atëherë e vetmja pyetje që bëhet e pashmangshme është:

A NA MBËSHTETËN VËRTET “VLERAT PERËNDIMORE”, APO INTERESAT E TYRE?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.