Dita e 86-të e protestës qytetare, vijon revolta për largimin e Ramës
Sot shënohet dita e 86-të e protestës qytetare, me protestuesit që pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik të vendit.
Tubimi pritet të nisë në sheshin “Skënderbej”, ku do të mblidhen qytetarët, përpara se marshimi të vijojë përgjatë bulevardit në drejtim të Kryeministrisë.
Pas mbërritjes përpara godinës së qeverisë, protestuesit pritet të mbajnë fjalime dhe të paraqesin qëndrimet e tyre ndaj politikave të ndjekura nga qeveria. Organizatorët kanë përsëritur se kërkesa kryesore e lëvizjes mbetet largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Në platformën e protestuesve parashikohet gjithashtu krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor. Sipas tyre, kjo strukturë do të kishte si një nga detyrat kryesore përgatitjen e vendit për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Një tjetër pikë e kërkesave lidhet me shfuqizimin e disa nismave ligjore, të cilat protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për interesat e qytetarëve dhe të vendit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Ata shprehen se lëvizja nuk do të ndalet dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



