E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga ndjekja në rrugët e Elbasanit te arrestimi në Durrës: Si u prangos Ergys Agasi dhe çfarë zbuloi SPAK
Lajme

Nga ndjekja në rrugët e Elbasanit te arrestimi në Durrës: Si u prangos Ergys Agasi dhe çfarë zbuloi SPAK

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim prej dhjetorit 2025 në kuadër të hetimeve për procedurat e prokurimeve të AKSHI-t, është arrestuar mbrëmjen e 26 gushtit në zonën e Plepave, në Durrës.

Agasi u lokalizua nga strukturat e Policisë së Shtetit teksa udhëtonte me një automjet tip “Audi RS6”, së bashku me Uljan Shpatarakun, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, i cili gjithashtu përfundoi në pranga.

Sipas të dhënave të bëra publike, ndjekja nisi në Elbasan dhe vijoi për rreth 40 kilometra, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit. Në zonën e Plepave, forcat operacionale ndërhynë për të ndaluar automjetin, ndërsa të dy personat u arrestuan. Automjeti “Audi RS6”, në pronësi të Shpatarakut, u sekuestrua në kuadër të hetimeve.

Pas arrestimit, Agasi u shoqërua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje për rreth tre orë. Më pas u transferua në Bllokun e Sigurisë dhe, pas procedurave të ekzekutimit të masës së sigurisë, u dërgua në paraburgim. Ai pritet të dalë përpara GJKKO-së, ku do t’i komunikohet zyrtarisht masa “arrest në burg”.

SPAK zgjeron hetimet te pasuritë

Një ditë pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar edhe një automjet luksoz tip “Land Rover Defender”, që dyshohet se i përket Agasit. Mjeti është gjetur në garazhin e një prej vilave në kompleksin “Equos Resort”.
Sekuestrimi i automjetit është pjesë e veprimeve hetimore që synojnë gjurmimin dhe dokumentimin e pasurive të lidhura me personin nën hetim.

Për çfarë hetohet Agasi?

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Agasi po hetohet për disa vepra penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimi i produkteve të veprës penale, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal.
Sipas organit të akuzës, hetimi ndaj Agasit është pjesë e procedimit penal të regjistruar në vitin 2025. Masa “arrest në burg” ndaj tij ishte caktuar nga GJKKO më 15 dhjetor 2025 dhe ishte urdhëruar të ekzekutohej nga strukturat e Policisë së Shtetit.

SPAK deklaron se arrestimi u realizua pas një pune disa javore të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.