E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Islanda i rrezikon Shqipërisë vendin e dytë në garën për BE-në? Referendumi që mund të përmbysë renditjen
Lajme

Islanda i rrezikon Shqipërisë vendin e dytë në garën për BE-në? Referendumi që mund të përmbysë renditjen

Referendumi që mbahet më 29 gusht në Islandë mund të sjellë ndryshime në renditjen e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke prekur drejtpërdrejt pozicionin e Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Qytetarët islandezë do të votojnë nëse duan që vendi të rifillojë negociatat për anëtarësim në BE. Votimi nuk vendos për anëtarësimin përfundimtar, por një rezultat pozitiv do t’i hapte rrugë rikthimit të Islandës në procesin e integrimit evropian.

Në pamje të parë, Islanda duket si një kandidate e pazakontë. Ndryshe nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ajo është tashmë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e Shengenit dhe është e integruar thellë në tregun evropian. Për këtë arsye, rruga e saj drejt anëtarësimit do të ishte shumë më e shkurtër se ajo e shumicës së vendeve kandidate.

Kjo është pikërisht ajo që mund ta ndryshojë ekuilibrin aktual.

Mali i Zi konsiderohet aktualisht vendi më i avancuar në procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria është ndër vendet kryesuese. Por një votë pro në Islandë do ta fuste Reykjavikun sërish në garën për anëtarësim dhe do t’i jepte mundësi të ecë me ritme shumë më të shpejta se vendet e tjera.

Sipas vlerësimeve të zyrtarëve evropianë, Islanda mund t’i përfundojë negociatat brenda një deri në dy vitesh, pikërisht për shkak të nivelit të lartë të përafrimit me rregullat dhe tregun e BE-së.

Shqipëria rrezikon të humbasë pozicionin në renditje

Një rezultat pozitiv në Islandë do të kishte një efekt të drejtpërdrejtë në renditjen e vendeve kandidate. Islanda mund të vendosej përkrah Malit të Zi në grupin e vendeve më të avancuara, duke e shtyrë Shqipërinë pas tyre në këtë garë.

Megjithatë, nga Tirana argumentohet se zgjerimi i BE-së nuk duhet parë si një garë ku përparimi i një shteti nënkupton humbjen e një tjetri.

Një votë pro në Islandë, sipas qëndrimit zyrtar shqiptar, do të ishte mbi të gjitha një sinjal se projekti evropian vijon të jetë tërheqës dhe se zgjerimi i BE-së mbetet në axhendën politike të Unionit.

Por për Shqipërinë ekziston edhe një tjetër dallim i rëndësishëm.

Islanda e pasur, Shqipëria përfituese e fondeve

Në rast anëtarësimi, Islanda do të ishte një nga vendet më të pasura të BE-së dhe pritet të jetë kontribuuese neto në buxhetin e Unionit. Shqipëria, në të kundërt, do të ishte përfituese neto e fondeve evropiane.

Ky është një nga faktorët që e bën Islandën një rast të veçantë për zgjerimin e ardhshëm të BE-së. Anëtarësimi i saj nuk do të sillte të njëjtën peshë financiare për buxhetin evropian si anëtarësimi i vendeve më të varfra të Ballkanit Perëndimor.

Për Brukselin, rikthimi i Islandës në tryezën e negociatave do të ishte gjithashtu një sinjal politik: zgjerimi i BE-së mund të marrë një hov të ri pas një periudhe të gjatë ngadalësimi.

Referendumi nuk vendos anëtarësimin

Pavarësisht rëndësisë politike, votimi i 29 gushtit nuk vendos nëse Islanda do të bëhet anëtare e BE-së.

Nëse qytetarët votojnë pro, do të rifillojnë negociatat me Brukselin. Vetëm pasi të përfundojë ky proces dhe të përcaktohen kushtet e anëtarësimit, islandezët do të përballen me një referendum të dytë për anëtarësimin përfundimtar.

Referendumi vjen në një moment kur opinioni publik islandez është i ndarë. Sondazhi më i fundit i Gallup tregon një epërsi të lehtë të kundërshtarëve të rifillimit të negociatave, me 51.6% kundër dhe 48.4% pro.

Nëse fiton “po”-ja, Islanda mund të bëhet një tjetër lojtare serioze në garën për zgjerimin e BE-së. Dhe kjo do të thotë se Shqipëria, pavarësisht progresit të saj, mund të përballet me një rival të ri, shumë më të përgatitur ekonomikisht dhe institucionalisht.

Ndërsa për Malin e Zi, referendumi mund të sjellë një konkurrencë të drejtpërdrejtë me një vend që tashmë është shumë pranë standardeve të Unionit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.