Defekt në radarët e Albcontrol, pezullohet trafiku ajror në Shqipëri
Trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare është pezulluar përkohësisht mbrëmjen e së premtes, pas një problemi teknik të dyshuar në sistemin e radarëve të Albcontrol.
Për disa minuta, asnjë avion nuk është lejuar të ngrihet apo të ulet në Shqipëri, ndërsa është ndërprerë edhe qarkullimi i avionëve në hapësirën ajrore shqiptare. Masa është marrë për arsye sigurie, pasi sistemi i monitorimit të trafikut ajror nuk ka funksionuar normalisht.
Problemi teknik pritet të shkaktojë vonesa në nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa avionët që ndodhen në fluturim mund të përballen me pritje, ndryshime të orareve apo, në varësi të kohëzgjatjes së ndërprerjes, devijime të përkohshme.
Sipas të dhënave paraprake, ekipet teknike po punojnë për identifikimin dhe riparimin e defektit, me synim rikthimin sa më shpejt të sistemit në funksion dhe normalizimin e trafikut ajror.
Pezullimi i fluturimeve është një masë standarde sigurie në raste kur sistemet e kontrollit dhe monitorimit të trafikut ajror nuk garantojnë funksionimin e plotë, pasi prioritet mbetet siguria e avionëve dhe ndarja e tyre në hapësirën ajrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



