Vëllezërit pronarë të “Hotel Flar” që dhunuan kamerieri 18-vjeçar

pas konfliktit për pagën
Një 18-vjeçar, i punësuar si kamerier në “Hotel Flar”, pretendohet se është dhunuar nga pronarët e biznesit, vëllezërit Florian dhe Arbër Habilaj, pasi ka kërkuar pagën që i takonte për punën e kryer.
Sipas denoncimit të publikuar në rrjetet sociale, konflikti ka nisur kur i riu ka kërkuar shlyerjen e detyrimit financiar. Në vend të pagesës, ai dyshohet se është përballur me dhunë fizike nga dy pronarët.
Në denoncim pretendohet gjithashtu se familja Habilaj ka pasur edhe më parë përplasje me punonjës për shkak të mosdhënies së pagave, por këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet.
Autorët e denoncimit ngrenë dyshime se vëllezërit Habilaj mund të kenë përfituar nga lidhjet e tyre familjare dhe shoqërore. Sipas materialit të publikuar, Florian Habilaj është i martuar me mbesën e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, ndërsa Arbër Habilaj është i martuar me vajzën e pronarit të kompanisë së mishit “Kazazi”.
Këto lidhje paraqiten nga denoncuesit si arsye e mundshme e një ndjenje pandëshkueshmërie, por deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që të provojnë se ato kanë ndikuar në veprimet e Policisë apo të organeve të drejtësisë.
Rasti kërkon një reagim të menjëhershëm dhe transparent nga Policia e Shtetit. Duhet të sqarohet nëse është depozituar kallëzim, nëse i riu është pajisur me raport mjekoligjor dhe nëse ndaj personave të denoncuar ka nisur procedim penal.
Publik.al mbetet i hapur për qëndrimin e vëllezërve Florian dhe Arbër Habilaj, drejtuesve të “Hotel Flar”, si dhe të personave të tjerë të përmendur në denoncim.
SHËNIM
Djersa e 18-vjeçarit nuk paguhet me grushte
Një 18-vjeçar nuk doli nga shtëpia për të vjedhur dhe as për të kërkuar lëmoshë. Doli për të punuar. Në fund kërkoi vetëm pagën e tij, paratë e fituara me djersë.
Sipas denoncimit të bërë publik, përgjigjja që mori nuk ishte pagesa, por dhuna.
Nëse faktet konfirmohen nga hetimi, nuk kemi të bëjmë vetëm me një konflikt mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kemi të bëjmë me një mentalitet feudal, sipas të cilit pronari mendon se zotëron jo vetëm biznesin, por edhe dinjitetin, trupin dhe të drejtat e punonjësit.
Punëtori nuk është skllav. Kamerieri nuk është pronë e hotelit. Paga nuk është nder që pronari ia bën punonjësit, por një detyrim ligjor dhe moral për punën e kryer.
Edhe më shqetësuese është heshtja institucionale që zakonisht pason raste të tilla. Kur një njeri me para, prona ose lidhje politike denoncohet për dhunë, krijohet përshtypja se strukturat shtetërore presin që skandali të harrohet. Pikërisht kjo heshtje ushqen arrogancën dhe bindjen se disa njerëz qëndrojnë mbi ligjin.
Lidhjet familjare me ish-pushtetarë apo biznesmenë nuk provojnë fajësi dhe nuk mund të zëvendësojnë hetimin. Por ato nuk duhet të shërbejnë as si mburojë. Policia dhe prokuroria kanë detyrimin të hetojnë dhunën e pretenduar, konfliktin për pagën dhe çdo denoncim të mëparshëm të punonjësve.
Një shtet që nuk mbron një 18-vjeçar kur kërkon pagën e vet, nuk mbron punën. Mbron të fortin.
Në këtë histori duhet të flasë ligji: të verifikohet denoncimi, të dokumentohen dëmtimet dhe, nëse provohet dhuna, përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Djersa e një të riu nuk mund të paguhet me grushte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



