E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braho i SPAK firmos rregullat e reja për gjurmimin e parave dhe pasurive
Lajme

Braho i SPAK firmos rregullat e reja për gjurmimin e parave dhe pasurive

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të standardizojë mënyrën e kryerjes së hetimeve financiare dhe pasurore në dosjet që ndjek.

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, ka firmosur një udhëzim të ri që miraton modelin tip të analizës financiare për hetimet pasurore. Dokumenti ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për prokurorët, hetuesit financiarë dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në thelb, udhëzimi synon të krijojë një mënyrë të unifikuar pune për ndjekjen e gjurmës së parave, duke nisur nga mbledhja e të dhënave financiare dhe vijuar me analizimin e tyre deri në dokumentimin e rezultateve të hetimit.

Kjo merr rëndësi të veçantë në dosjet për korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, ku përveç veprës penale hetohet edhe burimi i pasurive dhe marrëdhëniet financiare të personave nën hetim.

Katër elementët e modelit të ri

Modeli i miratuar nga SPAK përbëhet nga katër komponentë kryesorë: relacioni tip për hetimin financiar dhe pasuror së bashku me anekset, analiza financiare në format Excel, lista e institucioneve dhe subjekteve prej të cilave administrohet informacioni, si dhe metodologjia e kryerjes së analizës financiare.

Relacioni financiar do të shërbejë për të përmbledhur rezultatet e verifikimeve, duke vendosur përballë pasuritë e konstatuara me të ardhurat e ligjshme të personit nën hetim.

Në analizë mund të përfshihen prona, llogari bankare, transferta, automjete, pjesëmarrje në kompani, të ardhura të deklaruara dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në rindërtimin e profilit financiar dhe pasuror.

Një element tjetër është administrimi i informacionit nga burime të ndryshme. Në varësi të natyrës së hetimit, të dhënat mund të mblidhen nga sistemi bankar e financiar, regjistrat e pronësisë dhe biznesit, administrata tatimore, deklarimet e pasurisë dhe regjistrat e automjeteve.

Në këtë mënyrë, hetuesit synojnë të rindërtojnë lëvizjen e pasurisë, nga burimi i të ardhurave dhe transfertat financiare deri te asetet ku janë investuar paratë.

Për zyrtarët dhe politikanët që janë objekt hetimi, deklaratat e pasurisë mund të krahasohen me burimet e deklaruara të të ardhurave. Ndërsa në dosjet e krimit të organizuar, analiza mund të shtrihet te kompanitë, pronat, transaksionet dhe personat e lidhur, me qëllim identifikimin e mënyrës së lëvizjes ose fshehjes së pasurive.

Në fokus edhe sekuestrimi dhe konfiskimi

Standardizimi i analizës financiare e vendos hetimin pasuror në një linjë të integruar me hetimin penal. Kur plotësohen kushtet ligjore, informacionet e mbledhura gjatë këtij procesi mund të shërbejnë edhe në procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.

Udhëzimi, megjithatë, nuk përcakton kategori personash që do t’i nënshtrohen automatikisht kontrollit të pasurisë. Ai përcakton metodën dhe procedurën e punës që do të përdoret kur një hetim financiar dhe pasuror zhvillohet nga SPAK.

Në përfundim të dokumentit, drejtuesi i SPAK ngarkon me zbatimin e modelit të ri hetuesit financiarë, hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Me këtë udhëzim, SPAK synon të unifikojë mënyrën se si hetohen të ardhurat, transaksionet dhe pasuritë, duke e kthyer gjurmën financiare në një komponent të strukturuar të hetimeve për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.