Arrestohen 2 zyrtarë të Bashkisë së Tropojës
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive për ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në rrugën e Dobravës, në Tropojë, ku një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike, ndërsa tre kolegë të tij u plagosën.
Policia ka bërë të ditur se, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë ndaluar dy persona, të dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Bëhet fjalë për N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, Drejtues Teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, pranë fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës.
Katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po punonin për vendosjen e një shtylle ndriçimi në bazament.
Dyshohet se gjatë punës ata kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike. Për pasojë, rryma është përcjellë te katër punonjësit.
Nga kontakti me energjinë elektrike humbi jetën M. S., ndërsa tre të tjerë, A. D., I. D. dhe A. A., u dëmtuan dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse gjatë punimeve janë respektuar rregullat e sigurisë në punë dhe nëse përgjegjësit për organizimin dhe mbikëqyrjen e punimeve kanë marrë masat e nevojshme për shmangien e rrezikut elektrik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



