E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ahmetaj: Fondet e Onkologjikut për Kanye West dhe “Edenin” në Kryeministri
Denoncime

Ahmetaj: Fondet e Onkologjikut për Kanye West dhe “Edenin” në Kryeministri

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se fonde publike të destinuara për sektorin e shëndetësisë janë përdorur për projekte dhe aktivitete të tjera.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, Ahmetaj deklaroi gjithashtu se audio-përgjimet e publikuara së fundmi janë autentike.

Duke u ndalur te përdorimi i fondeve publike, ish-zëvendëskryeministri pretendoi se para që duhej të shkonin për Onkologjikun, së bashku me fonde të tjera të buxhetit, janë përdorur për projekte të ndryshme, duke përmendur mes tyre edhe koncertin e Kanye West.

Një tjetër pretendim i tij lidhet me ndërtimin e kopshtit “Eden” në ambientet e Kryeministrisë. Ahmetaj tha se për këtë projekt janë shpenzuar rreth 4 milionë euro, duke e cilësuar një investim të pajustifikueshëm në kushtet kur, sipas tij, sistemi shëndetësor përballet me probleme të shumta.

Ai përmendi edhe vendosjen e një peshku të rrallë japonez në këtë hapësirë, ndërsa me tone ironike tha se kryeministri shkon aty “për t’u çliruar nga makthet e tij se nuk ka shitur ende të gjithë Shqipërinë”.

Ahmetaj argumentoi se investime të tilla, sipas tij, nuk do të gjendeshin as në institucionet më të zhvilluara perëndimore. Ai e lidhi kritikën e tij me mënyrën se si, sipas tij, po menaxhohen paratë publike në një kohë kur nevojat në shëndetësi mbeten të mëdha.

Në intervistë, ish-zëvendëskryeministri kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të mazhorancës, duke pretenduar se synimi është që deputetët të reduktohen në “duar të ngritura”, të cilat votojnë vendime në favor të njerëzve pranë pushtetit.

Duke iu referuar periudhës kur ishte pjesë e qeverisë, Ahmetaj tha se kishte kundërshtuar kanabizimin e vendit dhe se ishte përpjekur të krijonte mekanizma ligjorë për të larguar procedurat e tenderimit nga Zyra e Kryeministrit.

Ai foli edhe për godinën e News24 dhe kalimin e saj te ndërmarrja shtetërore e prodhimit dhe tregtimit të armëve “KAYO”, duke pretenduar se një skemë e ngjashme mund të përgatitet edhe për sektorin e shëndetësisë.

Në fund të intervistës, Ahmetaj u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos e votojnë nismën që ai kundërshton, duke e cilësuar atë si një “aferë kriminale” dhe si një veprim që, sipas tij, cenon interesin publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.