Kapen 107 kg drogë me vlerë 1.2 mln euro në Portin e Durrësit
Një ngarkesë prej 107.7 kilogramësh kanabis të llojit “Gelato” është sekuestruar në Portin e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 2”. Sipas Policisë, vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1.2 milionë euro.
Droga dyshohet se kishte origjinën nga Kanadaja dhe ishte transportuar drejt Shqipërisë brenda një kontejneri, ku ndodheshin dy automjete dhe një kamper.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të kamperit, efektivët zbuluan hapësira të modifikuara dhe të mbuluara me veshje druri. Brenda tyre u gjetën të fshehura 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa të llojit “Gelato”.
Përveç drogës, gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave kishin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Dy persona në kërkim
Sipas hetimeve të deritanishme, policia dyshon se kanabisi sigurohej në Kanada dhe më pas transportohej drejt Shqipërisë, duke u fshehur në ambiente të posaçme të modifikuara në mjetet e porositura për blerje.
Në vijim të operacionit janë shpallur në kërkim dy persona, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike, për shkak të vijimit të hetimeve.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.
Hetuesit po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



