E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ballukut i shtohen telashet, SPAK sekuestron vilën në “Green Coast”
Lajme

Ballukut i shtohen telashet, SPAK sekuestron vilën në “Green Coast”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke referuar fakte të reja penale që lidhen me një pronë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimi ka nxjerrë të dhëna që, sipas prokurorëve, krijojnë dyshime për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në qendër të zhvillimeve të reja është një vilë në kompleksin luksoz në Palasë, për të cilën SPAK pretendon se pronësia faktike i përket Belinda Ballukut, ndërsa dokumentacioni i pronës është krijuar në emër të shtetasit Igli Tare.

Vila në Palasë, prona që SPAK e konsideron të fshehur

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, SPAK thotë se ka siguruar prova dhe të dhëna të reja për mënyrën e krijimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie.

Bëhet fjalë për pasurinë e identifikuar si “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.

Sipas SPAK, vila është mbajtur jashtë deklarimit të pasurisë përmes një serie veprimesh që prokuroria i konsideron fiktive. Në këtë skemë, sipas akuzës, është përdorur shtetasi Igli Tare.

Prokuroria i referohet një kontrate sipërmarrjeje të datës 26 tetor 2020, me vlerë 250 mijë euro, e cila lidhej me investimin deri në fazën e karabinasë.

Por hetimi nuk ndalet këtu.

Punimet e vilës dhe lidhja me kompaninë fituese të tenderit

Sipas SPAK, pas fazës fillestare të ndërtimit, punimet në objekt janë marrë përsipër nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”.

Kjo kompani ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”, i shpallur fitues në një prej procedurave të tenderuara nga institucionet shtetërore.

Sipas të dhënave të referuara nga SPAK, vlera e punimeve të kryera në vilë llogaritet nga 288,616 deri në 410,526 euro, bazuar në preventivin e punimeve të administruar nga hetuesit.

Prokuroria dyshon se këto investime janë dhënë si përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë në një procedurë prokurimi publik.

Tenderi mbi 2.3 miliardë lekë që është në fokus të hetimit

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, i cili kishte një fond limit prej 2.353.597.373,94 lekësh pa TVSH.

SPAK pretendon se Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me zyrtarë dhe anëtarë të strukturave të prokurimit, ka krijuar avantazhe të padrejta për bashkimin e operatorëve “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.

Në njoftimin e saj, Prokuroria e Posaçme rendit një sërë dispozitash të legjislacionit për prokurimin publik, konfliktin e interesit dhe rregullat e prokurimit, për të cilat pretendon se janë shkelur gjatë procedurës.

Sipas akuzës, favorizimi i kompanisë fituese është lidhur me përfitimin që, dyshohet se, është dhënë përmes punimeve dhe investimeve në vilën në Palasë.

Si pretendohet se u fsheh prona

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me dokumentacionin e pronësisë.

SPAK pretendon se për të fshehur pronësinë faktike të vilës, është përdorur sërish shtetasi Igli Tare dhe janë kryer veprime të tjera që prokuroria i konsideron fiktive.

Në këtë kuadër përmendet një kontratë shitjeje e datës 12 shtator 2025, përmes së cilës prona është regjistruar në emër të Igli Tares.

Sipas SPAK, Balluku kishte detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie, por nuk e ka deklaruar, ndërsa krijimi i dokumentacionit në emër të një personi tjetër, sipas prokurorisë, ka shërbyer për fshehjen e saj.

Hetimi zgjerohet edhe për persona dhe subjektin që kreu punimet

Faktet e reja të referuara nga SPAK nuk lidhen vetëm me Belinda Ballukun.

Sipas prokurorisë, Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, ndërsa Igli Tare dyshohet për pastrim të produkteve të veprës penale.

Në të njëjtën kohë, edhe shoqëria “Alko Impex General Construction” dyshohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Për Belinda Ballukun, SPAK referon dyshime edhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, mosdeklarim ose fshehje të pasurisë, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

GJKKO vendos sekuestrimin e vilës

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 591, të datës 9 shtator 2026, ka vendosur sekuestrimin preventiv të pasurisë.

Pasuria ndodhet në zonën kadastrale 1739 dhe ka një sipërfaqe totale prej 478 metrash katrorë, ku përfshihen trualli dhe sipërfaqet e ndërtimit të objektit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, ndërtesa ka sipërfaqe të ndryshme të regjistruara për katin përdhe, katin e parë dhe hapësirat e parkimit.

Hetimi vijon

SPAK deklaron se hetimet për procedimin penal nr. 136 të vitit 2025 vijojnë dhe se do të kryhen veprime të tjera për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe faktet që janë objekt i procedimit.

Belinda Balluku është aktualisht nën hetim për çështje që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin dhe pastrimin e parave, ndërsa ndaj saj janë caktuar masat e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”.

Zhvillimet e reja e çojnë hetimin përtej procedurave të prokurimit publik, duke e lidhur atë edhe me origjinën, financimin, punimet dhe mënyrën e regjistrimit të një pasurie në një prej komplekseve turistike më të njohura në bregdet.

Njoftimi i SPAK:

SPAK thellon hetimin dhe zbulon fakte te reja penale per procedimin penal 136 të vitit 2025

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, për faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për kryerjen e veprave penale:

A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:

1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).

2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.

3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.

4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”.  5.“Ndërtimi i Unazës sëJashtme Tiranë, Loti 4”.

6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.

7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.

8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;

B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1,  gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, nëngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.

Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.

Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit  Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77,  80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.

Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.

Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.

Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.

Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma “a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.

Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:

-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,  parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,  parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin  nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:

-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).

Prokuroria e Posaçme vijon që të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për këtë procedim penal, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve penale që janë objekt i këtij hetimi.

—-

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.