“Igli Tares po i hidhet baltë”, Genti Tare “gozhdon” Agron Shehajn
“Ke punësuar bashkëshorten e Endri Fugës, je akuzuar se i ke dhënë vilë Veliajt”
Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka ndërhyrë përmes një lidhjeje telefonike në emisionin “Top Story”, ku po diskutohej dosja e Belinda Ballukut dhe përfshirja e vëllait të tij në këtë çështje.
Gjatë bisedës, Genti Tare u përplas me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po përdoren informacione të pjesshme për të krijuar një perceptim negativ ndaj personave të përfshirë në diskutime.
Tare e cilësoi këtë qasje si përdorim të “gjysmë të vërtetave”, duke argumentuar se një informacion i shkëputur nga konteksti mund të përdoret për të ngritur dyshime edhe ndaj një personi që nuk është provuar se ka kryer shkelje.
Për të ilustruar argumentin e tij, Genti Tare iu drejtua drejtpërdrejt Shehajt, duke sjellë në vëmendje disa pretendime që, sipas tij, mund të përdoren në mënyrë të ngjashme edhe ndaj kreut të Partisë Mundësia.
“Ja të të përdor unë ty një gjysmë të vërtete, të shoh si do të të djegë. Ke qenë ortak me Ilir Belerin te kompleksi i vilave në Petrelë. Je akuzuar nga opozita se i ke dhënë një vilë Erion Veliajt”, tha Tare.
Ai vijoi duke argumentuar se e njëjta mënyrë interpretimi mund të përdorej për të krijuar akuza edhe rreth marrëdhënieve profesionale të Shehajt.
“Është njësoj si të marr një gjysmë të vërtetë dhe të them që Agron Shehaj është i korruptuar, ka pasur edhe bashkëshorten e Endri Fugës në punë, i ka dhënë dhe vilë Erion Veliajt”, u shpreh Genti Tare.
Sipas tij, kjo logjikë po aplikohet edhe në rastin e vëllait të tij, Igli Tares, për të cilin ai pretendon se po krijohet një perceptim publik negativ përpara se të ketë një përfundim përfundimtar mbi çështjen.
Genti Tare theksoi se pasojat e dëmtimit të figurës publike të një personi mund të jenë të pakthyeshme, edhe nëse më vonë ai shpallet i pafajshëm.
“Igli Tares po i hidhet baltë dhe kur të dalë i pafajshëm, nuk ka më vlerë”, përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



