Prostitucion në apartamente me qira ditore në Tiranë, arrestohen 4 persona
Katër persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, të dyshuar për përfshirje në veprimtari prostitucioni që zhvillohej në apartamente të marra me qira ditore në kryeqytet.
Arrestimet janë kryer në kuadër të fazës së dytë të operacionit të koduar “Last Post”, i cili ka zbardhur tre raste të dyshuara të prostitucionit që, sipas hetimeve, promovohej përmes rrjeteve sociale.
Në mesin e personave të arrestuar janë dy shtetase vietnameze, një shtetase braziliane dhe shtetasi shqiptar Ervin Hysolli. Ky i fundit dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion njërën prej shtetaseve vietnameze.
Nga hetimet e kryera është bërë e mundur edhe sekuestrimi i katër aparateve celulare, të cilat dyshohet se përdoreshin për publikimin dhe reklamimin në rrjetet sociale të veprimtarisë së paligjshme.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, shtetaset e huaja dyshohet se kishin marrë me qira ditore disa apartamente në zona të ndryshme të Tiranës dhe i kishin përshtatur ato për ushtrimin e prostitucionit.
Apartamentet ndodheshin në rrugët “Xhoxhi Martini”, “Milan Shuflaj” dhe “Him Kolli”, ku dyshohet se zhvillohej veprimtaria e paligjshme.
Në vijim të veprimeve hetimore, një tjetër shtetas është vënë nën procedim penal në gjendje të lirë. Sipas dyshimeve të ngritura nga autoritetet, ai përfitonte nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet e përpiluara gjatë hetimit i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



