E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Opozita kërkon Komision Hetimor për KAYO-n
Denoncime

Opozita kërkon Komision Hetimor për KAYO-n

Opozita ka zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së kompanisë shtetërore “KAYO” sh.a., duke kërkuar verifikimin e marrëveshjeve, fondeve publike dhe aktivitetit të saj në fushën e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Kërkesa është firmosur nga Grupet Parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe “Aleancës për Ndryshim”. Komisioni propozohet të ketë një mandat 6-mujor dhe të përbëhet nga 15 deputetë.

Në fokus do të jetë kontrolli i marrëveshjeve të bashkëpunimit të “KAYO” me palë të treta, si dhe mënyra se si janë përzgjedhur, negociuar dhe miratuar marrëdhëniet kontraktuale me subjektet tregtare.

Opozita kërkon gjithashtu verifikimin e aktivitetit të “KAYO” dhe kompanive bija në lidhje me prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me fondet publike. Deputetët kërkojnë të shqyrtojnë procedurat për alokimin dhe përdorimin e financimeve nga Buxheti i Shtetit, si dhe administrimin e tyre.

Dyshimet për trafik armësh

Në kërkesën për Komision Hetimor është përfshirë edhe verifikimi i dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve. Opozita i lidh këto pretendime me audiopërgjime të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Komisioni pritet të shqyrtojë gjithashtu përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO, si dhe të evidentojë shkelje apo parregullsi të mundshme në administrimin e kompanisë, shoqërive bija dhe fondeve publike.

Në përfundim, opozita kërkon që të identifikohen përgjegjësitë institucionale dhe të vlerësohet nevoja për ndryshime ligjore që garantojnë ligjshmërinë, transparencën, llogaridhënien dhe konkurrencën në veprimtarinë e “KAYO”-s.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.