AKU-Berat në kaos: Drejtori shkon 5 minuta në punë, dy vite presion për të hequr shefen e financës
Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al për situatën në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Berat, duke shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si drejtohet ky institucion dhe trajtohen punonjësit e tij. Këtë herë, akuzat e një qytetari drejtohen ndaj kreut të institucionit në Berat, Rauf Salillarit.
Pas publikimit të denoncimit për mungesën e inspektorëve, tetë vendet e paplotësuara dhe largimet e dyshuara për motive personale, një qytetar që pretendon se ka njohuri të drejtpërdrejta mbi situatën pranë drejtorisë ka ngritur akuza të reja për drejtuesin e saj.
Denoncuesi deklaron se Rauf Salillari nuk qëndron rregullisht në institucion, por shfaqet për pak minuta dhe largohet sërish.
“Pesë minuta nuk vjen në punë dhe më para del sesa hyn”, pretendon qytetari në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë, duke ngritur pikëpyetje mbi praninë e drejtorit gjatë orarit zyrtar dhe përmbushjen e detyrimeve të tij drejtuese.
Por denoncimi nuk ndalet te pretendimet për mungesën e drejtuesit në institucion. Akuza më e rëndë lidhet me ish-shefen e financës, për të cilën qytetari pretendon se është përballur me presion të vazhdueshëm për afro dy vite, deri në largimin e saj nga detyra.
Sipas denoncuesit, konflikti mes Rauf Salillarit dhe ish-shefes së financës ishte kthyer në një çështje personale. Ai pretendon se për një periudhë të gjatë, largimi i punonjëses ishte tema e përsëritur e bisedave që dëgjonte në ambientet përreth institucionit.
“Një muhabet kishin: ose e heq atë të financës, ose s’ka”, shprehet qytetari në denoncimin e tij, duke pretenduar se drejtuesi kishte këmbëngulur për afro dy vite në largimin e saj.
Denoncuesi pretendon se në fund largimi i ish-shefes së financës u realizua, ndërsa sipas tij, pas kësaj përplasjeje nuk qëndronin arsye profesionale, por motive personale dhe konflikte familjare.
Këto pretendime shtojnë një tjetër dimension në problematikat e raportuara për AKU-në Berat. Në denoncimin e mëparshëm u ngritën shqetësime për funksionimin e sektorit të inspektimit ushqimor me vetëm tre inspektorë, nga 11 që parashikohet të ketë struktura, si dhe për lëvizjet e punonjësve dhe largimet e dyshuara për motive personale.
Tashmë, përveç mungesës së personelit, kërkohet të sqarohet edhe mënyra se si ushtrohet drejtimi i institucionit dhe nëse vendimet për largimin e punonjësve janë marrë mbi baza profesionale apo janë ndikuar nga konflikte personale.
Publik.al kërkon përgjigje konkrete:
- A e përmbush Rauf Salillari orarin zyrtar të punës dhe sa është realisht prania e tij në drejtorinë e AKU-së Berat?
- A ka pasur një konflikt të zgjatur mes drejtorit dhe ish-shefes së financës, siç pretendohet në denoncim?
- A është ushtruar presion ndaj kësaj punonjëseje për afro dy vite, me synimin për ta larguar nga detyra?
- Cilat ishin arsyet zyrtare të largimit të ish-shefes së financës dhe a lidhej vendimi me ndonjë shkelje apo problematikë profesionale?
Pas denoncimeve të njëpasnjëshme për AKU-në Berat, drejtoria qendrore e institucionit duhet të sqarojë këto pretendime dhe të bëjë transparencë mbi mënyrën e funksionimit të strukturës rajonale.
Redaksia e Publik.al mbetet e hapur për publikimin e dokumenteve dhe provave që mund të mbështesin pretendimet e denoncuesit, si dhe për të drejtën e përgjigjes së Rauf Salillarit dhe drejtuesve të AKU-së. Deri në një verifikim zyrtar, pretendimet e qytetarit mbeten akuza që kërkojnë sqarim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



