Rama gati të lëshojë Ballukun? Kryeministri: Çështjen e ka me drejtësinë
Kryeministri: Nuk e mbron askush
Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, duke theksuar se ajo përballet me një proces me drejtësinë dhe se, për këtë aspekt, nuk ka ndërhyrë për ta mbrojtur.
Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin “Flasim”, Rama tha se qëndrimi i tij ka qenë i lidhur me atë që e konsideron çështje parimi dhe standardi, duke ndarë këtë aspekt nga vetë çështja penale që ndodhet në drejtësi.
Sipas kryeministrit, problemi që ai ka ngritur lidhet me vendimin për pezullimin e një ministri nga detyra, masë të cilën e cilësoi si të pazakontë dhe që, sipas tij, ka ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera.
“Balluku ka një çështje me drejtësinë, në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë”, deklaroi Rama, duke shtuar se të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në raste të tjera të hetuara nga drejtësia.
Rama kritikoi mënyrën se si është trajtuar çështja e Ballukut dhe tha se, sipas tij, vendimmarrja për pezullimin nga detyra ka kapërcyer kufijtë e kompetencave të drejtësisë.
Ai pretendoi se me masën e marrë ndaj Ballukut, SPAK dhe gjykata kanë ndërhyrë në kompetencat që Kushtetuta ua njeh kryeministrit, Parlamentit dhe Presidentit.
“Ne nuk jemi të pavarur nga ligji, ne duhet ta zbatojmë, ata janë atje të pavarur nga ne. Ata nuk janë të pavarur në pikën që të vendosin për ne”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë si momentin kur, sipas tij, është kaluar një “vijë e kuqe”, ndërsa sqaroi se deklaratat e tij nuk lidhen me pafajësinë apo fajësinë e Ballukut.
“Kam folur vetëm për çështje të parimit dhe standardit, kështu që ajo ka një çështje me drejtësinë aty as unë dhe askush nuk e mbron, aty ajo mbron veten e vet”, u shpreh Rama.
Rama për Beqajn: Pres të shoh ku është korrupsioni
Gjatë intervistës, Rama iu referua edhe ish-ministrit Ilir Beqaj, duke thënë se nuk ka ndërhyrë për të komentuar çështjen e tij në drejtësi.
Ai deklaroi se pret të shohë konkretisht se ku qëndrojnë elementët e korrupsionit për të cilët bëhet fjalë në rastin e Beqajt.
“Pres të shoh ku është korrupsioni, pres ta shoh, nuk e kam parë akoma”, tha kryeministri.
Rama për Veliajn: Absurd që kryetari i zgjedhur të qëndrojë në paraburgim
Rama komentoi gjithashtu situatën e Erion Veliajt, duke kundërshtuar qëndrimin e kryebashkiakut të Tiranës në paraburgim.
Kryeministri e cilësoi si absurde situatën dhe tha se është e vështirë për të komunikuar me një kryetar bashkie që ndodhet i izoluar.
“Kryetari i zgjedhur të rrijë i mbyllur në paraburgim, absurd i kryeqytetit. E pamundur të komunikosh”, deklaroi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



