E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Alibia e Ramës ra, ndaj Belinda Ballukut ka tre akuza të reja!
Lajme

Alibia e Ramës ra, ndaj Belinda Ballukut ka tre akuza të reja!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është rikthyer çështjes së Belinda Ballukut, duke i kërkuar SPAK-ut që t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj si deputete dhe vendosjen e masës së arrestit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka risjellë në vëmendje një deklaratë të mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte dalë në mbrojtje të Ballukut gjatë debatit për heqjen e imunitetit.

Sipas Bardhit, në atë kohë Rama argumentonte se për të votuar heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres do të duhej që ndaj saj të ekzistonin akuza për vepra të tjera penale, si korrupsioni, pastrimi i parave apo fshehja e pasurisë. Ndërkohë, sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, situata tashmë ka ndryshuar.

Bardhi pretendon se përveç akuzave që lidhen me procedurat e tenderave, tashmë janë bërë publike edhe elementë të tjerë që, sipas tij, përfshijnë pasurinë dhe burimin e saj. Për këtë arsye, ai kërkon që SPAK të ndërmarrë një tjetër hap procedurial dhe të paraqesë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat e ka ndërtuar mesazhin mbi një përballje të drejtpërdrejtë me deklaratat e mëparshme të kryeministrit.

“DITA 2

Korrupsion +

Pastrim parash +

Fshehje pasurie.

Tre akuza të reja, siç i kërkonte Edi Rama në mars për Belinda Ballukun, sepse shkelja e barazisë në 8 tendera me vlerë 1.2 miliardë euro, nuk e bindte për të votuar heqjen e imunitetit për arrestimin e saj.

Tani që edhe alibia e Edi Ramës ka rënë, pse SPAK nuk sjell në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut?

Edhe sa vila apo pasuri të tjera të fshehura duhet të zbulohen që drejtuesi i SPAK të zbatojë ligjin?

Apo ‘Aleanca e Valamarit’ është më e fortë se ligji”, shkruan Bardhi.

Në qendër të deklaratës së tij janë edhe pretendimet për tetë tendera me një vlerë të përllogaritur prej 1.2 miliardë eurosh, për të cilat çështja e barazisë në tenderim ka qenë pjesë e debatit politik dhe institucional.

Bardhi e lidh gjithashtu reagimin e tij me diskutimet e fundit rreth pasurive të paluajtshme që ai pretendon se lidhen me Ballukun, duke ngritur publikisht pyetjen se çfarë duhet të zbulohet më tej përpara se SPAK të kërkojë heqjen e imunitetit të saj.

Në këtë mënyrë, përplasja politike rreth Belinda Ballukut rikthehet sërish në Kuvend dhe në qendër të debatit publik, ndërsa opozita vijon t’i kërkojë Prokurorisë së Posaçme që të ndërmarrë hapa të rinj ndaj ish-zv.kryeministres dhe deputetes socialiste.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.