Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, SHBA paralajmëron trazira në Kosovë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka lëshuar një njoftim të posaçëm për sigurinë, në prag të demonstratave të paralajmëruara për të mërkurën, 16 shtator, në Prishtinë dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Data përkon me shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane paralajmëron se demonstratat mund të shoqërohen me grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të konsiderueshme të qarkullimit. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u është rekomanduar të kufizojnë lëvizjet në zonat pranë banesave dhe të shmangin udhëtimet drejt vendeve të punës apo shkollave nëse itinerari kalon nëpër zonat ku priten protesta.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë turma të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Sipas paralajmërimit amerikan, personelit të qeverisë së SHBA-së i është kërkuar të shmangë çdo udhëtim të panevojshëm pranë zonave ku do të zhvillohen protestat. Po ashtu, prindërve u është rekomanduar të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator, duke marrë parasysh mundësinë e krijimit të vështirësive të mëdha në qarkullim.
Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur gjatë kësaj dite, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar dhe sipas nevojës.
Në kuadër të masave të sigurisë, qytetarëve amerikanë u është kërkuar të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, të tregojnë kujdes nëse ndodhen papritur pranë turmave të mëdha ose protestave dhe të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve përreth.
Paralajmërimi vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Kosovën. Më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe shteteve që të respektojnë procedurat gjyqësore dhe aktgjykimin që do të shpallet nga Gjykata Speciale. BE-ja ka theksuar se vendimi i shkallës së parë nuk përbën përfundimin e procesit, pasi ai mund të apelohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria.
Brukseli ka vlerësuar gjithashtu se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshi pritet të nisë në orën 14:00 dhe të mbledhë qytetarë nga e gjithë Kosova, të cilët kërkojnë drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u përmbyll me fjalët përfundimtare në shkurt të vitit 2026. Në paraqitjen e saj përfundimtare para trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve.
Në anën tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkoi shpalljen e tyre të pafajshëm.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Në këtë situatë, paralajmërimi i Ambasadës amerikane sinjalizon shqetësim për ndikimin që demonstratat e 16 shtatorit mund të kenë në sigurinë dhe lëvizjen në Prishtinë, në një ditë kur Kosova pritet të përballet me një prej zhvillimeve më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




