E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
‘Mos e përmendni emrin tim’, del një tjetër përgjim i Ron Yeffet
Denoncime

‘Mos e përmendni emrin tim’, del një tjetër përgjim i Ron Yeffet

“Ministrinë e Energjetikës ma lini mua”

Detajet e bisedës për gazin dhe verifikimet në terren

Një tjetër audiopërgjim që pretendohet se i përket biznesmenit izraelit Ron Yeffet është bërë publik mbrëmjen e sotme në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV. Në qendër të bisedës janë puset e gazit në Vlorë dhe mënyra se si bashkëbiseduesit do të siguronin informacion mbi to.

Sipas materialit të publikuar, audiopërgjimi është pjesë e një dosjeje me më shumë se tre orë përgjime, të realizuara në janar 2026, të cilat thuhet se janë siguruar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Në bisedën e publikuar, Yeffet dëgjohet duke diskutuar me tre shtetas të huaj, mes tyre një ukrainas, një rus dhe një grua e identifikuar si Tatiana, e cila shërben si përkthyese.

Tatiana propozon që Ministrisë së Energjisë t’i dërgohet një kërkesë zyrtare për të marrë informacion mbi gazin në Vlorë. Yeffet, sipas audiopërgjimit, e kundërshton këtë mënyrë veprimi dhe kërkon që informacioni të sigurohet në terren.

“Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Shkoni në Vlorë dhe shikoni çfarë të doni. Më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë”, dëgjohet të thotë ai.

Më tej, ai shprehet se bashkëbiseduesit duhet të paraqiten si përfaqësues të një kompanie amerikane, ndërsa kërkon që emri i tij të mos përmendet në Vlorë.

“Mbështetuni te unë për Ministrinë e Energjetikës. Do të shkojmë në Ministrinë e Energjetikës, do të flasim me ta për çdo gjë. Por mos përdorni emrin tim”, thuhet në material.

Sipas bisedës, personat e përfshirë do të shkonin në Vlorë për të mbledhur informacion dhe për të kryer verifikime në terren. Yeffet këmbëngul që ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në përfundimin e procesit.

“Do të kontrolloni, do të pyesni për gjithçka dhe ata do të bashkëpunojnë”, dëgjohet të thotë ai.

Në vijim të bisedës diskutohet edhe për kohën e mbërritjes së një prej personave që do të kryente verifikimet. Yeffet kërkon që ajo të vijë sa më shpejt dhe të qëndrojë deri në fundjavë, duke argumentuar se procesi duhet të përfundojë në mënyrë sa më efikase.

“Unë dua të përfundojmë. Ju duhet të kuptoni, kam nevojë të fillojë, ne duhet të mbyllim marrëveshje”, dëgjohet të shprehet ai.

Biseda ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si synohej sigurimi i informacionit për pasuritë e gazit në Vlorë dhe mbi kontaktet që pretendohet se Yeffet kishte me Ministrinë e Energjisë.

Megjithatë, autenticiteti i audiopërgjimit dhe identiteti i personave që dëgjohen në të duhet të verifikohen nga autoritetet përkatëse. Materiali është publikuar si një pjesë e dosjes së përgjimeve të pretenduara dhe nuk përbën, në vetvete, provë të konfirmuar për përmbajtjen apo rrethanat e bisedës.

Audipërgjimi i zbardhur:

Tatiana: Do të përgatisim një letër zyrtare për ministrinë e Energjetikës që të marrim informacione për gazin në Vlorë. Një letër zyrtare.

Roni Yeffet: Përse, përse? Jo, jo, asnjë letër zyrtare, jo, jo.  Shkoni shikoni, shkoni në Vlorë, shikoni çfarë të doni. Më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë. Informacioni është për ne, jo për Ministrinë.

Tatiana: Dakord, çështja është, ajo që na tha ajo është thelbësore. Të bazohemi vetëm në një vizitë në vend do të ishte e pamjaftueshme. Një inspektim fizik, kompania nuk do të kuptonte asgjë.

Roni Yeffet: Mbështetuni te unë për Ministrinë e Energjetikës. Do të shkojmë në Ministrinë e Energjetikës, do të flasim me ta për çdo gjë. Por mos përdorni emrin tim.

Tatiana: Dakord.

Roni Yeffet: Në Vlorë, dakord. Do të kontrolloni, ju përfaqësoni një kompani amerikane.

Tatiana: Dakord.

Roni Yeffet: Do të kontrolloni, do të kontrolloni, do të pyesni për gjithçka dhe ata do të bashkëpunojnë. I thuaj asaj që të vijë të hënën, të qëndrojë këtu, do të shkoni në Ministrinë e Energjetikës 1, 2, 3 herë.

Tatiana: Mendoj që ajo do të vijë të mërkurën.

Roni Yeffet: Nëse ajo vjen të hënën dhe qëndron, sepse nuk do të jetë të mërkurën dhe të premten askush nuk punon këtu. Nuk është eficente, të jemi më eficent.

Tatiana: Dakord, dakord.

Roni Yeffet: Nëse ajo vjen të mërkurën, ata vijnë të premten, asgjë nuk ndodh. Dhe ajo duhet të qëndrojë këtu deri sa të përfundojmë. Unë dua të përfundojmë. Ju duhet të kuptoni, kam nevojë të fillojë, ne duhet të mbyllim marrëveshje.

Tatiana: Ajo vjen nga Johanesburgu, të hënën do të jetë këtu. Nga e marta në mëngjes…

Roni Yeffet: Por ajo nuk duhet të largohet deri në fundjavë.

Tatiana: Dakord.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.