Konflikti i pagave, administrata e Gjykatës së Kukësit bojkoton punën
Administrata e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka ndërprerë sot punën, duke bojkotuar shërbimet administrative në shenjë proteste për situatën e krijuar rreth pagave në sistemin e drejtësisë.
Bojkoti nuk do të jetë vetëm njëditor. Sipas informacionit të bërë publik, sekretariati dhe administrata e gjykatës pritet të vijojnë protestën edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët do të mund të marrin vetëm shërbimet që lidhen me çështjet me karakter urgjent. Përjashtim bëjnë seancat gjyqësore urgjente, masat e sigurisë dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, të cilat do të vijojnë të trajtohen.
Në qendër të kësaj situate është përplasja e krijuar prej muajsh mbi mënyrën e përcaktimit dhe përllogaritjes së pagave në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë marrë vendime për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa mbetet e pazgjidhur çështja e detyrimit për rillogaritjen e tyre pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë situatë, administrata e Gjykatës së Kukësit ka zgjedhur bojkotin si formë reagimi, me synimin për të bërë më të dukshme problematikën e pagave dhe pasojat që ajo ka sjellë brenda sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, kufizimi i shërbimeve administrative prek drejtpërdrejt edhe qytetarët që kanë nevojë për shërbime pranë gjykatës, ndërsa aktiviteti do të vijojë vetëm për rastet që konsiderohen të ngutshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



