E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Cinja” i Shijakut arresohet në Belgjikë
Lajme

“Cinja” i Shijakut arresohet në Belgjikë

Një 58-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare është arrestuar në Belgjikë, në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet belge, ndërsa ndaj tij pritet të vijojë procedura për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, i njohur edhe me nofkën “Cinja” i Shijakut. Arrestimi i tij është realizuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas shkëmbimit të informacioneve mes strukturave të Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë.

Kala ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me vendim të datës 4 prill 2023.

Sipas autoriteteve shqiptare, 58-vjeçari dyshohet për një sërë veprash penale që lidhen me aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal. Në ngarkim të tij rëndojnë akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga SPAK dyshohet se Kala ka pasur rol në një grup kriminal të përfshirë në trafikimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, me destinacion dhe aktivitet në disa shtete.

Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime mbi mënyrën e përdorimit të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas autoriteteve, të ardhurat e dyshuara si të krijuara nga trafiku i narkotikëve janë investuar në dy pasuri të paluajtshme, të përdorura si lokale në Shijak.

Gjurmimi i 58-vjeçarit është bërë i mundur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Informacionet e mbledhura nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit janë shkëmbyer me autoritetet belge, duke çuar në identifikimin dhe më pas arrestimin e tij në Belgjikë.

Pas arrestimit, autoritetet shqiptare dhe ato belge kanë nisur procedurat përkatëse ligjore. Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me homologët belgë për përfundimin e procedurave të ekstradimit, me qëllim që Jasin Kala të përballet në Shqipëri me akuzat për të cilat është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.