Befason Klevis Balliu: SPAK duhet të shkrihet!
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka kërkuar shkrirjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e akuzuar SPAK-un se nuk po arrin të ndalë aferat korruptive dhe se, sipas tij, po krijon kushtet që ato të vijojnë.
Gjatë një interviste në emisionin “Puls” në A2CNN, Balliu e cilësoi sistemin aktual të drejtësisë si “pseudo-drejtësi” dhe ngriti pikëpyetje mbi rezultatet konkrete të hetimeve të SPAK-ut, veçanërisht sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që dyshohet se burojnë nga korrupsioni.
Sipas deputetit demokrat, nuk mjafton arrestimi i personave të dyshuar për përfshirje në afera, nëse pasojat financiare të këtyre skandaleve vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
“Kjo është pseudo-drejtësi, pseudo-sistem. Kjo strukturë duhet të shkrihet! Kjo strukturë po garanton vazhdimësinë e vjedhjes së Edi Ramës. Edhe SPAK-u, po po. Më thoni çfarë kanë konfiskuar nga vjedhja. Ku janë lekët?! Më thoni një aferë që kanë ndaluar”, deklaroi Balliu.
Ai solli si shembuj çështjen e sterilizimit dhe atë të inceneratorëve, duke argumentuar se, pavarësisht hetimeve dhe arrestimeve të kryera ndër vite, pagesat dhe kostot e lidhura me këto skema, sipas tij, vijojnë.
“Arrestuan Beqajn për sterilizimin, ne vijojmë paguajmë për sterilizimin. Arrestuan këta për inceneratorët, ne vijojmë paguajmë për inceneratorët. Këta janë garantët e aferave! Aferat vazhdojnë prej këtyre”, u shpreh deputeti i PD-së.
Në pjesën tjetër të deklaratës së tij, Balliu hodhi akuza edhe për ndikim politik në proceset zgjedhore. Ai pretendoi se SPAK-u ka kandidatët e tij në zgjedhje, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me emërimin e Ervin Demos në postin e ministrit të Brendshëm.
Sipas Balliut, përzgjedhja e Demos në këtë detyrë lidhet me marrëdhënien e tij me Klodian Braho, të cilin deputeti e cilësoi si mikun e tij.
Deklaratat e Balliut përbëjnë një tjetër kritikë të fortë politike ndaj SPAK-ut, me deputetin demokrat që vë në pikëpyetje efektivitetin e hetimeve të strukturës së posaçme dhe kërkon një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si funksionon sistemi i drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



