Trazira nesër në Kosovë? Paralajmërimi i fortë nga Franca
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Franca ka lëshuar një njoftim sigurie për shtetasit e saj që ndodhen në Kosovë, në prag të një dite të pritshme me tubime të mëdha në vend.
Ministria e Jashtme e Francës u ka kërkuar qytetarëve francezë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë 16 shtatorit, duke i këshilluar të shmangin protestat dhe lëvizjet që nuk janë të domosdoshme.
Në njoftimin e autoriteteve franceze thuhet se në qytetet e Kosovës janë paralajmëruar tubime masive me karakter politik. Për këtë arsye, shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg zonave ku mund të zhvillohen demonstratat dhe të kufizojnë lëvizjet në qytete dhe në territorin e Kosovës deri në përfundim të ditës.
Një paralajmërim të ngjashëm e kishte bërë një ditë më herët edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Autoritetet amerikane u bënë thirrje qytetarëve të tyre të kenë kujdes për shkak të mundësisë së grumbullimeve të mëdha, bllokimit të rrugëve dhe vështirësive të konsiderueshme në qarkullim.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Paralajmërimet e dy vendeve vijnë në një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën. Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Procesi gjyqësor ka vijuar për më shumë se dy vjet, ndërsa ish-drejtuesit e UÇK-së ndodhen në paraburgim prej afro gjashtë vitesh.
Prokuroria Speciale i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se seanca për shpalljen e vendimit përfundimtar do të nisë në orën 10:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun.
Vendimi pritet të shoqërohet me tubime dhe protesta në Kosovë, çka ka bërë që autoritetet e huaja t’u kërkojnë shtetasve të tyre të shmangin zonat e grumbullimeve dhe lëvizjet e panevojshme gjatë kësaj dite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



