E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Kongresmeni amerikan akuzon Ramën për rrjetin e trafikut të drogës
Lajme

Kongresmeni amerikan akuzon Ramën për rrjetin e trafikut të drogës

Wilson ngre alarmin për qeverinë Rama, ndërsa DASH pranon lidhjet ndërkombëtare të grupeve kriminale shqiptare.

Shqipëria është përfshirë në një debat të zhvilluar në Kongresin amerikan për politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor, ku një pjesë e diskutimeve u përqendrua te korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku ndërkombëtar i drogës dhe standardet e zgjedhjeve.

Në qendër të vëmendjes u vendosën edhe zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri, ndërsa kritikat më të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare u artikuluan nga kongresmeni republikan Joe Wilson.

Gjatë seancës dëgjimore, Wilson ngriti pikëpyetje mbi situatën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe integritetit zgjedhor në vend. Ai pretendoi se këto fusha po ndikohen nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë situatë edhe me ekzistencën e rrjeteve të trafikut të narkotikëve.

Wilson: Çfarë po bën SHBA për trafikun e narkotikëve?

Kongresmeni amerikan e vendosi theksin te roli që Uashingtoni mund të luajë në monitorimin e proceseve zgjedhore dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Wilson tha se, bazuar në raportime, korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri janë ndikuar nga qeveria shqiptare. Ai shkoi më tej duke pretenduar se administrata e Edi Ramës po nxit krijimin e një rrjeti të trafikut të narkotikëve.

“Ne mund të luajmë një rol në monitorimin dhe promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Wilson, përpara se të ngrinte shqetësimin për raportimet mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve në Shqipëri.

Më pas, republikani iu drejtua përfaqësuesit të Departamentit amerikan të Shtetit, Daniel Lawton, duke kërkuar të dinte se cilat janë konkretisht masat që po ndërmerr administrata amerikane ndaj trafikut të drogës që lidhet me Shqipërinë.

Wilson solli në vëmendje edhe bashkëpunimin e mëparshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Departamenti i Shtetit: SHBA po punon me Shqipërinë

Përgjigjja e administratës amerikane erdhi nga Daniel Lawton, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit.

Lawton konfirmoi se Shtetet e Bashkuara vijojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për goditjen e organizatave kriminale transnacionale që veprojnë nga Shqipëria.

Sipas tij, shqetësimi nuk lidhet vetëm me aktivitetin kriminal brenda kufijve shqiptarë, pasi këto organizata kanë krijuar lidhje ndërkombëtare edhe me struktura kriminale në Hemisferën Perëndimore.

“Shtetet e Bashkuara po vijojnë të punojnë me qeverinë shqiptare për të luftuar organizatat kriminale transnacionale që veprojnë atje”, deklaroi Lawton.

Ai shtoi se këto organizata kanë lidhje ndërkombëtare me kartelet kriminale në Hemisferën Perëndimore.

Lawton veçon SPAK-un

Në përgjigjen e tij, zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit u ndal edhe te roli i SPAK-ut në përballjen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Lawton tha se Shtetet e Bashkuara kanë konstatuar se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë “relativisht efektive” në trajtimin e disa prej problemeve që u ngritën gjatë seancës.

“Në veçanti, kemi konstatuar se SPAK ka qenë relativisht efektiv në trajtimin e disa prej çështjeve që ju ngritët”, u shpreh ai.

Në fund të përgjigjes së tij, Lawton vuri në dukje edhe ndryshimin historik të Shqipërisë, duke e përshkruar vendin si një shtet që gjatë Luftës së Ftohtë ishte ndër më të izoluarit dhe më të lidhurit me sistemin komunist, ndërsa sot është një vend i lirë.

“Ne duam që Shqipëria të ketë sukses”, ishte mesazhi i zyrtarit amerikan.

Debati në Kongres tregon se çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe standardet zgjedhore në Shqipëri vijojnë të jenë pjesë e diskutimit në Uashington. Ndërsa Wilson artikuloi akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare, përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit nënvizoi vijimin e bashkëpunimit me Tiranën dhe vlerësoi veçanërisht rolin e SPAK-ut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.