Operacion antidrogë në Korçë, 3 të rinj përfundojnë në pranga
Një operacion antidrogë i zhvilluar në qarkun e Korçës ka përfunduar me arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e rreth 6 kilogramëve lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Aksioni është kryer mbrëmjen e kaluar nga Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas dyshimeve se tre të rinjtë po transportonin lëndë narkotike me një automjet.
Sipas të dhënave paraprake, dy prej personave të arrestuar janë nga Tirana, ndërsa i treti është nga Lezha. Ata udhëtonin së bashku me një automjet, i cili u ndalua nga policia në zonën e Qafë Thanës.
Kontrolli i makinës çoi në zbulimin e një sasie prej rreth 6 kilogramësh lëndë narkotike, e cila ishte fshehur në pjesën e bagazhit.
Kontrollet nuk u kufizuan vetëm te automjeti. Gjatë kontrollit fizik të njërit prej pasagjerëve, efektivët gjetën edhe një tjetër qese me lëndë narkotike, të cilën personi e mbante në xhep.
Në kuadër të operacionit, përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar edhe automjetin e përdorur nga tre të rinjtë, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe disa telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve në vijim.
Tre personat janë arrestuar dhe materialet procedurale i kanë kaluar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të përcaktuar rolin konkret që secili prej të arrestuarve dyshohet se ka pasur në transportin e lëndës narkotike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



