E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokati i Hashim Thaçit përplaset me komisioneren Marta Kos
Lajme

Avokati i Hashim Thaçit përplaset me komisioneren Marta Kos

“Nuk të takon ty që ta paragjykosh këtë çështje”

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka reaguar ndaj deklaratave të komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Pas vendimit të gjykatës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Marta Kos e cilësoi Dhomat e Specializuara si një institucion të pavarur dhe të paanshëm, duke nënvizuar se vendimet e tij duhet të respektohen.

Deklarata e saj është kundërshtuar nga Mishetiç, i cili argumenton se vlerësimi mbi mënyrën se si ka funksionuar procesi gjyqësor nuk mund të konsiderohet i përcaktuar paraprakisht.

“Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje”, shprehet avokati i Thaçit, duke theksuar se mbetet për t’u vlerësuar nëse Dhomat e Specializuara kanë garantuar realisht një proces të paanshëm në çështjen që lidhet me ish-presidentin e Kosovës.

Në reagimin e tij, Mishetiç sjell në vëmendje edhe një raport të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Shoqatës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i publikuar në maj të vitit 2026.

Sipas avokatit, dokumenti ngre një sërë shqetësimesh që lidhen me funksionimin e procesit gjyqësor në Hagë. Në mënyrë të veçantë, ai përmend çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, barazinë e palëve në proces, pranueshmërinë e provave dhe zbatimin praktik të standardeve të drejtësisë.

“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, shkruan avokati.

Raporti është bërë pjesë e debatit mbi mënyrën se si po zhvillohen proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe mbi standardet që zbatohen nga Dhomat e Specializuara.

Nga ana tjetër, vetë Dhomat e Specializuara kanë kundërshtuar disa prej interpretimeve të bëra rreth raportit. Institucioni ka argumentuar se dokumenti nuk ka konstatuar shkelje të të drejtave të personave të akuzuar si pasojë e vendimeve të marra nga gjyqtarët.

Për Mishetiç, kjo do të thotë se debati mbi paanshmërinë e Speciales nuk mund të konsiderohet i përfunduar vetëm përmes deklaratave politike apo institucionale.

Qëndrimi i tij është se vlerësimi për pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara duhet të lidhet me shqyrtimin konkret të procesit gjyqësor, provave dhe mënyrës se si janë respektuar të drejtat e palëve gjatë procedurave ndaj Hashim Thaçit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.