E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kupi: Tre burgje në Tiranë nuk përmbushin kushtet e nevojshme
Lajme

Kupi: Tre burgje në Tiranë nuk përmbushin kushtet e nevojshme

Plani i drejtorisë së përgjithshme të burgjeve për 2024-2030 parashikon ndërtimin e një burgu në kryeqytet

Një burg i ri në Tiranë do të ndihmonte në zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen institucionet e vuajtjes së dënimit në kryeqytet. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka vlerësuar se burgjet e Jordan Misjes, Ali Demit dhe Mine Pezës nuk i përmbushin kushtet e nevojshme për të mbajtur të paraburgosur apo të dënuar.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Kupi u ndal te nevoja për investime në infrastrukturën penitenciare, duke veçuar situatën në burgun e Shënkollit, në Lezhë.

Sipas tij, pritet të nisë faza e parë e punimeve për ndërtimin e një godine të re me kapacitet prej 1 mijë shtretërish. Për këtë projekt është nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 8 milionë euro, ndërsa punimet do të zhvillohen në tri faza.

Investime edhe në Kukës dhe Fushë-Krujë

Krahas ndërhyrjes në Shënkoll, Kupi bëri me dije se burgu i ri i Kukësit pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm. Ky projekt, sipas tij, është kërkuar edhe nga partnerët në Kosovë.

Ndërkohë, në burgun e Fushë-Krujës po realizohen dy investime, përkatësisht me vlerë 1.6 miliardë dhe 1.5 miliardë lekë, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e standardeve bashkëkohore.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u shpreh se, ndryshe nga situata e mbipopullimit në Shënkoll, në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit gjendja paraqitet më e mirë krahasuar me një vit më parë.

445 vende vakante në sistemin penitenciar

Një tjetër çështje e ngritur gjatë raportimit ishte plotësimi i vendeve vakante në sistemin penitenciar. Sipas Kupit, aktualisht janë 445 pozicione të paplotësuara, ndërsa nevojitet edhe rishikimi i pagave të punonjësve.

Ai bëri me dije se po ndiqen politika për të intensifikuar rekrutimet dhe për të plotësuar nevojat për personel në institucionet e vuajtjes së dënimit.

37 raste të vizitave me eskortë janë referuar në prokurori

Gjatë raportimit, Kupi foli edhe për rastet e vizitave të të dënuarve nga persona të shoqëruar me eskortë. Sipas tij, 37 raste të tilla janë referuar në prokurori për shqyrtim.

Në përfundim, ai u ndal sërish te situata në burgun e Shënkollit, i cili vijon të funksionojë si institucion i vuajtjes së dënimit për personat me masë mjekësore, duke e cilësuar këtë një prej problematikave që kërkojnë vëmendje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.