SPAK zbardh akuzat ndaj Vlora Hysenit, dhe bashkëpunëtorëve
Drejtoresha e SHISH-it dyshohet për përfshirje në ndihmën ndaj Ergys Agasit për t’i shpëtuar arrestimit. Në pranga kanë përfunduar edhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndërsa SPAK ka ushtruar kontrolle në dy vila në Shkozet të Durrësit.
SPAK: Hetimi lidhet me procedimin penal për aferën e AKSHI-t
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht lidhur me masat e sigurisë të vendosura ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si dhe dy personave të tjerë, në kuadër të një hetimi që lidhet me procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Sipas njoftimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie ndaj tre personave, pas kërkesës së prokurorisë. Në fokus të hetimit janë vepra penale që lidhen me zbulimin e të dhënave sekrete dhe ndihmën ndaj autorëve të veprave penale.
Për Vlorën Hyseni, me detyrë drejtuese e SHISH-it, gjykata ka caktuar masën e arrestit në shtëpi, së bashku me pezullimin e ushtrimit të detyrës publike.
Sipas SPAK, Hyseni po hetohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Në materialet e bëra publike, hetimi lidhet me dyshimet për përdorimin e informacionit sekret shtetëror në favor të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.
Dyshimet për ndihmën ndaj Ergys Agasit
Në kuadër të këtij hetimi, emri i Vlorës Hyseni lidhet edhe me çështjen e Ergys Agasit, i arrestuar në gusht pas një periudhe në arrati dhe i akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal në dosjen e njohur si “AKSHI”.
Sipas dyshimeve të bëra publike, Hyseni mund të ketë përdorur ose vënë në dispozicion informacione sekrete të shtetit për të ndihmuar Agasin t’i shmangej arrestimit.
SPAK e ka veçuar në njoftimin e tij referimin te paragrafi i dytë i nenit 302 të Kodit Penal, dispozitë që lidhet me përkrahjen e autorit të krimit në rrethana të caktuara.
Megjithatë, njoftimi zyrtar i prokurorisë duhet të lexohet në funksion të akuzave konkrete dhe të veprave penale për të cilat secili person po hetohet. Përgjegjësia penale e tyre do të përcaktohet vetëm në përfundim të procesit gjyqësor.
Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, cilat janë akuzat?
Përveç Vlorës Hyseni, SPAK njofton se gjykata ka caktuar masën e arrestit në burg edhe ndaj dy personave të tjerë.
Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, po hetohet për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, që lidhet me zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.
Ndërkohë, Embro Sulejmani, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, po hetohet për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal, që lidhet me përkrahjen e autorit të krimit.
Sipas SPAK, vendimet e gjykatës iu janë përcjellë Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej masave të sigurisë.
Kontrollet në dy vila në Shkozet të Durrësit
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka autorizuar edhe kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera.
Me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, gjykata ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të I.P., ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Ndërsa me vendimin nr. 619, datë 21 shtator 2026, është autorizuar kontrolli i kompleksit të vilave që ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në Shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës.
SPAK bën me dije se këto veprime janë kryer në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025. Prokuroria ka falënderuar Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.
Hetimi vijon, ndërsa detajet mbi rolin e secilit person dhe provat që kanë çuar në caktimin e masave të sigurisë pritet të përcaktohen gjatë zhvillimit të procedurave ligjore.
Njoftimi i plotë i SPAK:
SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



