E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si ranë në duart e hetuesve përgjimet e forta të Vlora Hysenit me Ergys Agasin
Lajme

Si ranë në duart e hetuesve përgjimet e forta të Vlora Hysenit me Ergys Agasin

Telefonata, video-thirrje dhe mesazhe të përsëritura për rreth dy muaj. Dosja e SPAK zbardh komunikimet mes kreut të SHISH dhe Ergys Agasit, ndërsa hetuesit fokusohen edhe te përmbajtja e bisedave dhe kontakti përmes aplikacionit Signal.

Më shumë se 500 komunikime mes kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe personit nën hetim Ergys Agasi janë administruar nga SPAK gjatë hetimit që lidhet me marrëdhënien mes tyre.

Të dhënat janë nxjerrë nga pajisjet e përdorura nga Agasi dhe përfshijnë forma të ndryshme komunikimi, duke nisur nga telefonatat dhe mesazhet e deri te video-thirrjet dhe shkëmbimi i materialeve multimediale.

Sipas dosjes hetimore, komunikimet i përkasin periudhës 28 qershor deri më 26 gusht 2026, ditën kur Agasi u arrestua.

Në funksionin “BIOME” të telefonit të tij janë evidentuar 508 komunikime me Vlorën Hyseni.

SPAK i përshkruan ato si një kombinim telefonatash, komunikimesh zanore, video-thirrjesh, mesazhesh dhe bisedash të tjera të regjistruara në pajisje.

“Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi (calls, voice, video calls, messages, chat messages) ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.”

Si u siguruan të dhënat nga hetuesit?

Një pjesë e materialeve që më pas u analizuan nga SPAK lidhet me veprimet hetimore të kryera pas sekuestrimit të automjetit të Agasit.

Më 20 korrik 2026, në ambientet e “Equos Resort” në Tiranë, autoritetet sekuestruan automjetin me targë GG444AA, në pronësi të Ergys Agasit.

Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën edhe nëntë printime në format të madh, ku paraqiteshin diagrama me të dhëna që, sipas SPAK, kishin ngjashmëri me materiale të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Sendet e sekuestruara u formalizuan më 22 korrik përmes procesverbalit përkatës, ndërsa hetimi vijoi me administrimin dhe analizimin e të dhënave elektronike të lidhura me Agasin.

Gjatë një seance gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, Agasi ka pranuar se automjeti ishte i tij. Ai ka deklaruar gjithashtu se sendet e gjetura brenda tij i kishte lënë me qëllim që të zbuloheshin nga organet e Prokurorisë së Posaçme.

Edhe në “Signal” rezulton komunikim i vazhdueshëm

Përveç të dhënave të nxjerra nga telefoni, hetuesit kanë analizuar edhe komunikimet e zhvilluara përmes aplikacionit “Signal”.

Sipas materialit të administruar në dosje, vetëm në këtë aplikacion janë identifikuar dhjetëra tentativa dhe komunikime telefonike mes Hysenit dhe Agasit.

Në mënyrë konkrete, evidentohen 70 telefonata hyrëse nga Vlora Hyseni drejt Ergys Agasit, 28 telefonata të humbura, 25 telefonata pa përgjigje, si dhe komunikime të tjera të refuzuara.

Në këndvështrimin e hetuesve, këto të dhëna tregojnë se kontakti mes tyre nuk ka qenë i kufizuar në komunikime të rastësishme.

SPAK e përshkruan marrëdhënien si një kontakt të përsëritur dhe të vazhdueshëm, i cili, sipas materialit hetimor, ka vijuar edhe në periudhën kur Agasi ishte shpallur në kërkim.

“Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia.”

Telefonata, video dhe shkëmbim materialesh

Analiza e pajisjeve nuk është kufizuar vetëm te numri i kontakteve.

Sipas dosjes, hetuesit kanë konstatuar se komunikimet kanë përfshirë telefonata të zakonshme, video-thirrje, si dhe dërgim e marrje fotosh dhe videosh.

SPAK e cilëson komunikimin mes dy personave si periodik dhe me biseda që, sipas hetuesve, kanë zgjatur në kohë.

“Komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me person nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik (1 përditshëm) dhe i tejzgjatur në kohë bisede duke përfshirë jo vetëm telefonata të tjeshta (voice call) por dhe telefonata me video (video call) dhe dërgim e marrje fotosh e videosh.”

Për hetuesit, rëndësi të veçantë nuk ka vetëm shpeshtësia e komunikimit, por edhe përmbajtja e disa prej bisedave të administruara.

Në dosje thuhet se në një pjesë të komunikimeve, Hyseni paraqitet në një pozicion që, sipas SPAK, lidhet drejtpërdrejt me interesat e Agasit përballë organeve të drejtësisë.

“Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht.”

Çfarë ka deklaruar Vlora Hyseni?

Këto të dhëna janë vendosur përballë deklarimeve të dhëna nga Vlora Hyseni më 18 shtator 2026, kur ajo është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetuara.

Hyseni ka pranuar se ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij.

Sipas deklarimeve të saj, Agasi i kishte ofruar “bashkëpunim”. Ajo ka mohuar se kishte zhvilluar takime fizike me të dhe ka kundërshtuar pretendimin se Agasi kishte marrë informacione nga SHISH.

Megjithatë, SPAK e interpreton ndryshe dinamikën e evidentuar në komunikimet e administruara në kuadër të hetimit.

Në dosje thuhet se mënyra e komunikimit mes tyre dhe përmbajtja e disa bisedave nuk përputhen me versionin sipas të cilit Agasi kishte qenë thjesht një person që ofronte bashkëpunim.

“Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e ‘bashkëpunëtorit’ por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë.”

SPAK ngre pikëpyetje edhe për mënyrën e trajtimit të Agasit brenda SHISH

Një tjetër element i ngritur në materialin hetimor lidhet me mënyrën se si është trajtuar marrëdhënia me Agasin brenda strukturave të SHISH.

Sipas SPAK, nëse Agasi konsiderohej një “bashkëpunëtor”, ekziston një pikëpyetje mbi faktin se marrëdhënia me të nuk rezulton të jetë bërë e ditur tek instanca të tjera të institucionit.

Në dosje thuhet:

“Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.”

Në këtë fazë, komunikimet e nxjerra nga telefoni i Agasit dhe ato të administruara përmes “Signal” janë pjesë e provave që SPAK po analizon për të përcaktuar natyrën e marrëdhënies mes tij dhe Vlorës Hyseni.

Për hetuesit, rëndësi ka jo vetëm numri i lartë i komunikimeve, por edhe kohëzgjatja e tyre, mënyra e komunikimit dhe përmbajtja e bisedave, të cilat janë vendosur në funksion të hetimit për rolin që secili prej tyre dyshohet se ka pasur në ngjarjet nën hetim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.