“I kam çuar supë e ushqim”, del dëshmia e Sulejmanit në GJKKO
Biznesmeni Embro Sulejmani, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për dyshimet se ndihmoi Ergys Agasin gjatë arratisë, ka mohuar akuzat para GJKKO-së. “I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Është zbardhur dëshmia e biznesmenit Embro Sulejmani në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale, duke pretenduar se nuk e kupton se për çfarë akuzohet.
Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, është arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK, pasi dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani përpara gjykatës.
Sipas dyshimeve të SPAK, biznesmeni ka ndihmuar Agasin për të fshirë gjurmët e takimeve që zhvilloheshin në ambientet e lokalit, gjatë kohës që ai ishte në arrati. Hetuesit dyshojnë se janë fshirë edhe pamje filmike që dokumentonin takimet e Agasit me zyrtarë të lartë.
Në të njëjtën çështje, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, i cili ka punuar si kryekamerier në lokalin e vilave qeveritare në Durrës.
Të dy dyshohen nga SPAK se kanë ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



