Familja iku në dasëm, hajdutët i bëjnë kërdinë në shtepi
Një banesë në fshatin Shelegar, në Bashkinë Sarandë, është grabitur gjatë natës së të martës, në një kohë kur familjarët ndodheshin në një event familjar.
Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë shfrytëzuar mungesën e familjes në banesën e Mejdi Tushës për të kryer vjedhjen. Ngjarja u zbulua pasi një prej pjesëtarëve të familjes u kthye në shtëpi dhe gjeti dhomat të përmbysura, duke konstatuar se persona të paautorizuar kishin hyrë në banesë.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se dyshohet që grabitja të jetë kryer nga dy persona, të cilët mund të kenë vëzhguar më herët lëvizjet e familjes dhe të kenë pritur momentin kur banesa mbeti bosh.
Autorët dyshohet se kanë shkatërruar kamerën e sigurisë të instaluar në banesë, përpara se të hynin brenda, me qëllim shmangien e identifikimit.
Grabitësit marrin 1.5 milionë lekë dhe bizhuteri
Nga banesa e Mejdi Tushës dyshohet se janë marrë rreth 1.5 milionë lekë të vjetra, si dhe disa bizhuteri me vlerë.
Pas denoncimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë së Sarandës dhe grupi hetimor, të cilët kryen këqyrjen e banesës dhe nisën mbledhjen e provave materiale.
Aktualisht, hetuesit po punojnë për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



