Lekët e riparimit të makinës, “molla e sherrit” të plagosjes në Lezhë
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar një ditë më parë në fshatin Manati të Lezhës, ku një i ri mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti në ambientet e një servisi.
Në qendër të hetimit është përplasja mes punonjësit të servisit, Danjel Pikuli, dhe dy personave të tjerë, babë e bir, Gjergj dhe Seldo Voci.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pagesës së shërbimit. Gjergj dhe Seldo Voci kishin dërguar automjetin e tyre në servis për riparim, ndërsa pas përfundimit të punimeve mes palëve ka lindur një debat lidhur me shumën që duhej të paguhej.
Situata më pas ka agravuar, duke kaluar nga debati verbal në përplasje fizike. Sipas dyshimeve të policisë, gjatë konfliktit është përdorur edhe arma e zjarrit.
Për pasojë, Danjel Pikuli është qëlluar në pjesën e barkut. I riu është dërguar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Aktualisht, Pikuli ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka identifikuar dy personat që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje. Gjergj dhe Seldo Voci janë shpallur në kërkim, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të dinamikës së konfliktit dhe rolit të secilit prej tyre.
Një element i rëndësishëm për hetimin janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas policisë, në ato pamje është dokumentuar përplasja mes tre personave, e cila fillimisht dyshohet se ka qenë fizike dhe më pas ka përfunduar me përdorimin e armës.
Pas të shtënave, dy personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip Volkswagen.
Forcat e policisë kanë ndjekur gjurmët e automjetit deri në zonën e Shënkollit në Lezhë. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit rrugor Lezhë-Laç, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të automjetit pas largimit nga Manatia.
Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë të përgjegjësisë penale të personave të shpallur në kërkim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



