Plagosje me armë zjarri në Tiranë, një person qëllohet në këmbë
Një incident me armë zjarri është regjistruar në Tiranë, në afërsi të zonës së Zogut të Zi, ku një shtetas kosovar është plagosur pasi është qëlluar me armë.
Sipas të dhënave paraprake, plumbi e ka kapur personin në këmbë. Pas ngjarjes, ai është transportuar për në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Burimet bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e rrezikshme për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes dhe për të identifikuar personin që ka qëlluar.
Në kuadër të veprimeve hetimore, efektivët po verifikojnë dhe administrojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth vendit ku ndodhi ngjarja. Pamjet pritet të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve para dhe pas të shtënave.
Një element që po vështirëson hetimin është fakti se i plagosuri, sipas burimeve, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor. Ai nuk ka dhënë të dhëna për rrethanat në të cilat ndodhi plagosja apo për identitetin e personit që dyshohet se e ka qëlluar.
Policia po vijon mbledhjen e provave dhe verifikimin e informacioneve të disponueshme për të përcaktuar motivin e ngjarjes, si dhe për të rindërtuar të plotë dinamikën e plagosjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



