E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Braçe del të bëje pazar dhe “vë duart në kokë” nga abuzimet
Ekonomi

Erion Braçe del të bëje pazar dhe “vë duart në kokë” nga abuzimet

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur këtë të dielë shqetësimin për nivelin e çmimeve të produkteve ushqimore dhe mënyrën se si disa biznese llogarisin pagesat në euro dhe dollarë.

Pas kryerjes së pazarit të javës, Braçe ka ndarë në rrjetet sociale vërejtjet e tij për çmimet e produkteve, duke u ndalur veçanërisht te perimet, frutat, produktet e përpunuara dhe artikujt e importuar.

Sipas deputetit socialist, çmimet vijojnë të jenë të larta dhe, në rastin e produkteve vendase, kjo lidhet edhe me kostot e prodhimit dhe nivelin e mbështetjes për sektorin. Braçe e cilëson gjithashtu industrinë ushqimore vendase si shumë të dobët.

Por fokusi kryesor i reagimit të tij ishte kursi me të cilin, sipas tij, disa supermarkete pranojnë pagesat në monedha të huaja.

Braçe: Disa biznese afishojnë euro me 90 lekë dhe dollarin me 77 lekë

Braçe pretendon se në disa supermarkete, dyqane dhe pika karburanti janë afishuar kurse këmbimi prej 90 lekësh për një euro dhe 77 lekësh për një dollar.

Ai argumenton se këto biznese nuk janë të autorizuara të ushtrojnë aktivitet këmbimi valutor dhe se tregtia duhet të kryhet në monedhën kombëtare, lekun.

Në reagimin e tij, deputeti krahason këto vlera me kurset që ai i referohet si zyrtare dhe të tregut, duke përmendur 91.56 lekë për një euro dhe 80.22 lekë për një dollar.

Sipas Braçes, diferenca mes këtyre niveleve ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si reflektohet forcimi i lekut në çmimet e produkteve të importuara.

“Produktet e importuara mbeten të shtrenjta”

Deputeti socialist argumenton se, ndërsa euroja dhe dollari janë dobësuar përballë lekut, kjo nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet e produkteve që vijnë nga jashtë.

Në mesazhin e tij, Braçe ngre pyetjen nëse operatorët ekonomikë mund të kenë përfituar marzhe më të larta si pasojë e ndryshimeve në kursin e këmbimit.

Sipas tij, importuesit i blejnë monedhat e huaja me një vlerë më të ulët në raport me periudhat e mëparshme, ndërsa produktet e importuara vijojnë të tregtohen me çmime të larta.

Për këtë arsye, ai ngre si çështje për diskutim mundësinë e një trajtimi më të madh fiskal për ato që i konsideron si “mbifitime”.

Braçe e ka shoqëruar reagimin e tij me një video nga pazari i së dielës, ku fokusi është vendosur te çmimet e produkteve dhe njoftimet për kursin me të cilin disa biznese pranojnë pagesat në monedha të huaja.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

E diel sot. Sapo bëra pazarin e javës. Unë dal vetë të blej në tregje e dyqane.

Për çmimet, fjalët kanë mbaruar. Perimet dhe frutat e freskëta, vendase e të importuara, si edhe produktet e përpunuara, thuajse të gjitha të importuara, janë të shtrenjta dhe vijojnë të mbeten të tilla. Siç ju dëshmoj në video, këto çmime pasqyrojnë kostot e larta të prodhimit vendas, mungesën e mbështetjes dhe të bashkëfinancimit, si edhe një industri ushqimore thuajse inekzistente.

Por pasqyrojnë edhe një abuzim që të lë pa mend. E them realisht.

Shihni në video njoftimin e afishuar në një, dy, tre supermarkete për kursin me të cilin pranojnë euron dhe dollarin: 90 lekë për 1 euro dhe 77 lekë për 1 dollar.

Së pari, supermarketet, dyqanet dhe pikat e karburantit nuk janë të autorizuara të këmbejnë monedha të huaja. Ato kanë detyrimin të tregtojnë në lekë.

Por ka edhe më. Kursi që afishojnë është shumë më i ulët se kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë dhe ai i tregut të lirë: 91,56 lekë për 1 euro dhe 80,22 lekë për 1 dollar.

Ajo që të lë pa mend është se, ndërsa leku forcohet dhe euro e dollari bien — në këto dyqane edhe më shumë sesa në treg — çmimet e produkteve të importuara mbeten të larta.

Pra, tregtarët i marrin eurot më lirë, madje më lirë se kursi i Bankës së Shqipërisë dhe i tregut. Me këto euro blejnë produkte jashtë, i sjellin këtu dhe na i shesin me çmime që nuk pasqyrojnë rënien e euros apo të dollarit.

Pyetja që kam sot është: A nuk duhen taksuar më shumë këto mbifitime?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.