E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U ndërtua para 2 vitesh, shembet rruga 4.7 mln € Vllahinë-Poçem
Lajme

U ndërtua para 2 vitesh, shembet rruga 4.7 mln € Vllahinë-Poçem

Një investim publik prej miliona eurosh në jug të vendit po përballet me problematika në terren, vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve.

Bëhet fjalë për aksin rrugor Vllahinë–Poçem, me një gjatësi prej rreth 15 kilometrash, i cili shërben si lidhje mes zonave të Selenicës dhe Mallakastrës dhe krijon akses më të mirë drejt rrugës Levan–Tepelenë.

Rikonstruksioni i këtij aksi u krye në kuadër të projektit për përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe asaj turistike në Shqipëri. Sipas të dhënave të afishuara në tabelën e projektit, kontrata kishte një vlerë prej 4 milionë e 720 mijë e 655 eurosh, me TVSH.

Punimet janë realizuar nga bashkimi i kompanive “Shkëlqimi 07” dhe “Fusha”, ndërsa kontrata parashikonte një afat prej 487 ditësh për përfundimin e tyre.

Ndërhyrja nisi gjatë vitit 2023 dhe aksi u përfundua në vitin 2024. Megjithatë, sot, në disa pika të rrugës janë evidentuar dëmtime të trupit të saj, duke përfshirë çarje, deformime dhe ulje të sipërfaqes së asfaltuar.

Një prej zonave ku problematika është më e dukshme ndodhet pranë fshatit Karbunar. Në këtë pjesë, lëvizja e terrenit ka prekur një segment prej rreth 400 metrash, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës dhe deformim të rrugës.

Asfalti në këtë zonë është dëmtuar si pasojë e lëvizjes së terrenit, ndërsa konfigurimi i rrugës tregon nevojën për ndërhyrje për stabilizimin e segmentit dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.

Problematika e krijuar ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e investimit dhe mënyrën se si është vlerësuar terreni gjatë fazës së projektimit dhe zbatimit të punimeve.

Në këtë fazë nuk mund të përcaktohet nëse dëmtimet lidhen vetëm me faktorë natyrorë, si rrëshqitja e tokës, apo nëse në krijimin e tyre mund të kenë ndikuar edhe elementë të projektimit, mënyra e zbatimit të punimeve apo masat inxhinierike të marra për stabilizimin e terrenit.

Pikërisht përcaktimi i shkakut është thelbësor për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një problem të natyrshëm gjeologjik apo për një problematikë që mund të ishte parandaluar gjatë projektimit dhe ndërtimit të rrugës.

Projekti kishte si objektiv përmirësimin e lidhjes rrugore mes Selenicës dhe Mallakastrës, lehtësimin e lëvizjes së automjeteve dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin ekonomik e turistik të zonave përgjatë aksit.

Por, ndërsa kanë kaluar vetëm rreth dy vite nga përfundimi i punimeve, një pjesë e rrugës tashmë kërkon ndërhyrje për shkak të dëmtimeve të evidentuara.

Mbetet për t’u përcaktuar nga vlerësimet teknike dhe institucionale se cili është shkaku i rrëshqitjes dhe deformimeve, nëse përgjegjësia lidhet me kushtet e terrenit apo me elementë të projektit dhe zbatimit, si dhe se kush do të mbulojë kostot e ndërhyrjes për rikthimin e segmentit në parametrat e parashikuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.