E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hita studentëve të Akademisë së Sigurisë: Policia është mision
Lajme

Hita studentëve të Akademisë së Sigurisë: Policia është mision

Në nisjen e vitit të ri akademik në Akademinë e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u drejtua studentëve të rinj me një mesazh për përgjegjësinë që i pret gjatë dhe pas përfundimit të studimeve.

Hita vlerësoi interesin në rritje të të rinjve për të ndjekur studimet në fushën e sigurisë dhe hetimit, duke e konsideruar përfshirjen e brezit të ri si një element të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit.

Në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” janë regjistruar këtë vit 390 studentë, pas një procesi konkurrues për pranimin në programin Bachelor. Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit, interesi për Akademinë ka qenë i lartë gjatë tre viteve të fundit, që prej hapjes së saj për maturantët që synojnë një karrierë në polici.

Gjatë fjalës së tij, Hita u ndal te ndryshimi i rolit dhe përgatitjes së Policisë së Shtetit, duke theksuar se institucioni sot ka një nivel më të lartë profesional dhe bashkëpunon me struktura homologe në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai rikujtoi gjithashtu se Akademia e Sigurisë ka investuar në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies, laboratorëve dhe literaturës profesionale, ndërsa është përfshirë në bashkëpunime me akademi të tjera të sigurisë.

Por mesazhi kryesor i drejtorit të Policisë së Shtetit ishte përgjegjësia që shoqëron uniformën e policit.

Sipas tij, tre vitet e studimeve nuk duhet të shërbejnë vetëm për marrjen e një diplome, por për ndërtimin e një formimi të plotë profesional dhe njerëzor. Për këtë arsye, studentëve iu kërkua të investojnë në dije, përgatitje fizike, disiplinë dhe respekt ndaj qytetarëve, kolegëve dhe pedagogëve.

Në përfundim të studimeve, studentët do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit si oficerë, rol që sipas Hitës shoqërohet jo vetëm me statusin profesional, por mbi të gjitha me përgjegjësinë për garantimin e sigurisë dhe zbatimin e ligjit.

Hita tha se Akademia e Sigurisë do të vijojë të jetë një nga prioritetet e drejtimit të Policisë së Shtetit dhe se synimi është përmirësimi i vazhdueshëm i procesit të arsimimit dhe trajnimit të punonjësve të rinj.

Ai u bëri thirrje studentëve që gjatë viteve të studimit të jenë aktivë dhe të komunikojnë problematikat apo idetë që mund të ndihmojnë në përmirësimin e Akademisë.

“Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por mision”, ishte mesazhi qendror i Hitës për studentët që kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt uniformës blu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.