“Lideri Global” bind Vullnet Sinajn për votën Pro për Territorialen
Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me Reformën e re Territoriale, duke votuar këtë herë pro nismës së mazhorancës për riorganizimin e bashkive.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar socialist, Sinaj ka mbështetur propozimin, ndryshe nga qëndrimi i mbajtur në mbledhjen e mëparshme. Vota e tij i bashkohet kështu mbështetjes së socialistëve për ndryshimin e hartës territoriale.
Me votën e Sinajt, numri i deputetëve socialistë që kanë mbështetur nismën shkon në 81. Në llogaritjen e mazhorancës hyjnë edhe votat e deputetëve të PSD-së, të cilat në disa raste kanë qenë vendimtare për miratimin e nismave që kërkojnë një shumicë të zgjeruar në Kuvend.
Ndryshimi i qëndrimit të Sinajt merr rëndësi në një moment kur Reforma Territoriale është kthyer në një prej çështjeve më të debatueshme politike, veçanërisht për shkak të propozimit për riorganizimin dhe shkrirjen e një pjese të bashkive ekzistuese.
Në të njëjtën mbledhje, një tjetër deputet socialist, Erion Braçe, nuk ka dhënë votë në favor të propozimit, por as nuk është shprehur kundër tij. Qëndrimi i Braçes vjen në një kohë kur brenda mazhorancës vijojnë diskutimet mbi mënyrën se si do të zbatohet reforma dhe ndikimin që ajo pritet të ketë në organizimin vendor.
Votimi i sotëm pritet të jetë një tregues i rëndësishëm për forcën që mazhoranca do të ketë në Kuvend për të çuar përpara ndryshimet e propozuara në hartën territoriale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



