Shqiptari përfundon me makinë brenda në lokal, plagos 3 persona
Një aksident i pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Evosmos, në Selanik të Greqisë, ku një automjet doli nga rruga dhe përfundoi brenda një lokali të mbushur me klientë.
Përplasja ndodhi rreth orës 01:00 dhe shkaktoi panik mes personave që ndodheshin në ambientet e biznesit. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur, ndërsa lokali pësoi dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje ndërhynë autoritetet, të cilat arrestuan drejtuesin e automjetit, një 45-vjeçar me shtetësi shqiptare.
Testi i alkoolit, shumë mbi kufirin e lejuar
Sipas të dhënave të bëra publike, testi i alkoolit ndaj shoferit rezultoi me vlerat 0,77 dhe 0,74 mg/l në ajrin e nxjerrë nga mushkëritë, ndërkohë që kufiri i lejuar është 0,25 mg/l.
Rezultatet tregojnë se përqendrimi i alkoolit të matur ishte ndjeshëm mbi normën e lejuar për drejtimin e automjetit.
45-vjeçari pritet të paraqitet para autoriteteve gjyqësore, ndërsa policia greke vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



