E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BKH sekuestron telefonin e bashkëshortit të Ogerta Manastirliut
Lajme

BKH sekuestron telefonin e bashkëshortit të Ogerta Manastirliut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar telefonin e Ermal Gjinajt, bashkëshortit të deputetes socialiste Ogerta Manastirliut.

Sekuestrimi i pajisjes telefonike, dyshohet si pjesë e veprimeve hetimore të organit të akuzës, por ende nuk ka një informacion zyrtar.

Hetimi drejtohet nga ana e prokurores së posaçme, Dorina Bejko.

Me urdhër të GJKKO, SPAK mësohet se i ka sekuestruar celularin e Ermal Gjinajt, bashkëshortit të ish-ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Kërkesa për sekustrimin e telefonit të Gjinajt është firmosur nga prokurorja e posaçme, Dorina Bejko. Agjentët e BKH-së e kanë zënë në befasi Gjinajn, duke i sekustruar celularin. Emri i Manastirliut dhe bashkëshortit të saj mësohet se kanë dalë gjatë hetimeve të SPAK për në kuadër të një dosje për korrupsion dhe pastrim parash në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në skemën e dyshuar të korrupsionit dyshohet se janë përfshirë edhe disa biznesmenë. Ka dyshime se Ogerta Manastirliu, kur ishte ministre e Shëndetësisë ka favorizuar disa kompani farmaceutike, duke u dhënë para publike. Nga ana tjetër, pronarët e firmave përfituese dyshohet se i kanë kaluar bashkëshortit të ish ministres, Ermal Gjinaj, tarifën e korrupsionit përmes faturave fiktive për shërbime që nuk ekzistojnë.

Burri i Manastirliut deklaron 200 mijë euro të ardhura pasi iku si drejtor në OSHEE

Ermal Gjinaj, bashkëshorti i ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dikur punonjës pranë gazetës Rilindja Demokratike, ka deklaruar rreth 200 mijë euro të ardhura gjatë periudhës 2021-2025, kohë që përkon me largimin e tij si drejtor i qeverisjes së OSHEE kur në krye ishte Adrian Çela, i lakuar për afera epike korruptive. Të ardhurat i ka deklaruar nga aktiviteti si person fizik me nipt (L81818024U), me objekt veprimtarie në fushën e medias. Nipti kamuflon portalin bota.al. Për tetë vite me radhë, burri i Manastirliut nuk ka publikuar bilance mbi aktivitetin financiar, duke ngritur dyshime të forta për një skemë pastrimi parash.

(Dyshimet shtohen më tej kur çifti ka blerë makina luksoze me çmim qesharak dhe apartamente nën vlerën e tregut, ndërsa emri i zonjës Manastirliu del në disa dosje të SPAK-ut për afera korruptive në shëndetësi, sidomos gjatë periudhës së pandemisë). Gjinaj e nisi biznesin mediatik në vitin 2018 pasi ishte larguar nga OSHEE, funksion në të cilin u rikthye në janar 2019, në krye të një drejtorie të sajuar nga Adrian Çela posaçërisht për të. Gjinaj nisi të deklaronte të ardhura nga 40-50 mijë euro në vit pasi u larguar nga OSHEE në vitin 2020.

Po gjatë vitit 2018, bashkëshorti i Manastirliut themeloi bashkë me tre persona të tjerë kompaninë e IT Instant.al, por i shiti aksionet disa muaj më vonë. Kompania nuk ka fituar tendera publikë gjatë kohës kur Gjinaj ishte aksioner. Por, themelimi i kompanisë dhe shitja e aksioneve nuk reflektohen në deklaratën e pasurisë së vitit 2018, që çifti Gjinaj-Manastirliu kanë dorëzuar në ILDKPKI. Ermal Gjinaj nuk ka deklaruar asgjë në formularin e pasurisë së vitit 2018.

Ermal Gjinaj ka bërë një karrierë sa të pabesueshme aq edhe paradoksale, besohet produkt dhe reflektim i një angazhimi pranë Partisë Demokratike dhe pas vitit 2013 falë karrierës së Ogerta Manastirliut, e cila prej më shumë se dy dekadash ka gëzuar besimin e Edi Ramës, fillimisht si drejtoreshë e Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës dhe pas ardhjes së PS-së në pushtet si drejtoreshë e QSUT-së, ministre e Shëndetësisë, ministre e Arsimit dhe vitin e kaluar si kandidate për Bashkinë e Tiranës, zgjedhje që u anuluan nga Gjykata Kushtetuese.

Karriera e burrit të Ogerta Manastirliut

-Redaktor pranë gazetës Rilindja Demokratike
-Gazetar pranë gazetës Metropol
-Këshilltar i Genc Rulit në ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës
-Anëtar në Bordin e Ujësjellësit Kuçovë
-Anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë Rregjistri Tregtar Durrës
-Anëtar në AKBN
-Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të FAF (Agrokredit)
-Konsulent në Akademinë e Studimeve Politike KE
-Konsulent në Institutin e Implementimit të Informacionit
-Pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës
-Drejtor në OSHEE
-Konsulent në Fondacionin “Rruga me Pisha”
-I punësuar pranë ambasadës së Çekisë
-Aksioner në kompaninë Instant.al
-Person fizik me nipt L81818024U (bota.al)
-Ekspert në projektin e financuar nga BE ‘Bashkitë për në Evropë’

Manastirliu kopjoi doktoraturën në Afrikë

Deputetja socialiste, Ogerta Manastirliu, ish ministre e Arsimit, rezulton me doktoraturë plagjiaturë. Punimi i saj me titull, “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfillin e Sharrës, para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis” i publikuar në vitin 2013 është zhvilluar mbi punën autentike të studentit të masterit Fannie Mnisi në Afrikë.

Tema e tij publikuar në vitin 2008 titullohet “Vlerësimi i rrezikut mjedisor lidhur me vend-depozitimet e parregulluara të mbetjeve në Bashkinë Albert Luthuli, Provinca Mpumalanga në Republikën e Afrikës së Jugut”. Në hyrje të doktoraturës së vet, përmend problematikat e Landfillit të Sharrës, ndërkohë që ato ishin problematika të Landfillit në Afrikë.

Nëse shihet mes rreshtave të punimit të saj, zonja Manastirliu ka cituar autorë të huaj, duke harruar se këto përfundime dhe konkluzione autorët në fjalë i kanë nxjerrë për Afrikën, jo për Tiranën. Një paragraf të tërë, Manastirliu e ka kopjuar fjalë për fjalë nga studenti i masterit Fannie Mnisi, duke zhdukur emrin e autorit real dhe duke e përvetësuar. Ka hequr 3 bashkitë e Afrikës së Jugut dhe në vend të tyre ka vendosur Tiranën.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.