Revolta e nxënësve përhapet edhe në Fushë-Krujë
Gjimnazistët e “Shote Galica” braktisin mësimin dhe dalin në protestë kundër qeverisë, duke bllokuar për disa minuta rrugën kryesore të qytetit dhe ndezur tymuese.
Vala e protestave të nxënësve dhe studentëve po përhapet në gjithnjë e më shumë qytete të vendit. Pas Tiranës, Durrësit dhe Kamzës, këtë të enjte në rrugë kanë dalë edhe gjimnazistët e Fushë-Krujës, të cilët kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar lëvizjes së protestës.
Nxënësit e gjimnazit “Shote Galica” janë mbledhur në tubim, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë bllokuar për disa minuta rrugën kryesore të qytetit, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Tubimi është shoqëruar edhe me shpërthimin e kapsollave dhe ndezjen e tymueseve.
Dalja e gjimnazistëve në rrugë shënon një tjetër zgjerim të mobilizimit të të rinjve, që nisi në Tiranë dhe tashmë po përfshin nxënës e studentë në disa qytete të vendit.
Bojkoti i mësimit dhe marshimet e gjimnazistëve po e kthejnë protestën në një lëvizje më të gjerë, ndërsa thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit vijojnë të dëgjohen edhe jashtë kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



